Arbëri

Nxënësit s’e nisën gjysmëvjetorin e dytë - mësimdhënësit në grevë

E hëna, dita kur duhej të fillonte gjysmëvjetori i dytë, i ka gjetur në grevë të gjithë mësimdhënësit.

Sindikalistët e arsimit kanë thënë se greva është pasojë e heshtjes së institucioneve për realizimin e kërkesës kryesore të tyre, raporton KTV.

Prindërit i kanë sjellë fëmijët në shkollë, pas lajmërimit se mësimi do të fillojë në këtë shkollë.

Por, me gjithë lajmërimin, sërish u desh t’i marrin fëmijët nga shkolla, çka i ka frustruar ata.

Drejtori i shkollës “Elena Gjika” ka thënë se kanë dashur të fillojnë procesin mësimor, për arsye se në shtator kanë humbur mësimin për dy javë rresht.

Grevës së përgjithshme i janë bashkuar edhe çerdhet publike.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka vizituar disa shkolla fillore në kryeqytet, duke kërkuar nga mësimdhënësit përkrahje dhe këmbëngulje në kërkesat e tyre.

Jasharaj tha se nuk do të mashtrohen nga premtimet e Qeverisë, por pa veprime konkrete për plotësim kërkesash, greva nuk do të ndalet.

Madje mësimdhënësit kanë kërkuar nga SBASHK-u t’i përkrahin edhe nëse është nevoja për protesta para Qeverisë.

Greva e SBASHK-ut e cila ka filluar të hënën, dhe do të zgjasë në afat të pacaktuar nuk po merr përkrahje nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.

Kjo u bë e ditur pas takimit të zhvilluar mes SBASHK-ut dhe zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj dhe ministrit të Arsimit, Shyqyri Bytyqi, në të cilin u tha se do të kenë përkrahje nga institucionet, por nuk kanë arritur marrëveshje konkrete.

Greva e mësimdhënësve do të mbahet çdo ditë punë nga ora 9:00 e mëngjesit dhe do të zgjasë deri në orën 12:00.