Arbëri

Haradinaj zbut fjalët, tregon kur mund të pezullohet taksa

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se Qeveria e Kosovës do ta pezullonte përkohësisht taksën, vetëm pas garancës ndërkombëtare, se do të ulen për ta nënshkruar marrëveshjen përfundimtare, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke.

LEXO EDHE: SHBA-ja kërkon pezullimin e menjëhershëm të taksës

Kryeministri Haradinaj ka shkruar në Facebook se përderisa kemi vetëm sugjerime për takime dialoguese të pafrytshme, pa objektiv dhe pa afate qartë të përcaktuara, pa kontratë të paradakorduar dhe garancë ndërkombëtare, që do të nënshkruhet marrëveshja përfundimtare që rezulton me njohje, taksa vazhdon të mbetet në fuqi.

“Jam thellësisht i bindur për mundësinë e arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese me Serbinë, që rezulton me njohje. Ne intensivisht po punojmë për një kontratë përfundimtare, marrëveshje finale, me ç’rast edhe dorëzuam Librin e Madh me kapituj dhe Draftin e kësaj marrëveshjeje. Tërë këtë përmbajtje e kemi zhvilluar me qëllim për t’u siguruar se kur ulemi me Serbinë të kemi materie të qëndrueshme, me fakte dhe argumente. Vendosja e taksës ndaj produkteve të Serbisë nuk ka për qëllim pengimin dhe prolongimin e arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese me Serbinë, që rezulton me njohje. Përkundrazi, Qeveria e Kosovës do ta pezullonte përkohësisht taksën, vetëm pas garancës ndërkombëtare, se do të ulemi për ta nënshkruar marrëveshjen përfundimtare, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke”, ka shkruar ai.

Sipas tij, garanca do të thotë që ekziston një materie, kontratë e dakorduar në parim dhe pret vetëm nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, që rezulton me njohje.