“Shell” kërkon naftë dhe gaz në Zagori të Shqipërisë

“Shell” kërkon naftë dhe gaz në Zagori të Shqipërisë

11 January 2019 12:35

Gjirokaster, 11 janar - Kompania gjigante e naftës në botë, “Shell”, pritet të nisë kërkimet për naftë e gaz në disa zona që përfshijnë të gjitha bashkitë e Qarkut Gjirokastër, bën të ditur ATSH.

Për nisjen e projektit që parashikohet këtë vit pas kontratës me qeverinë, kompania me bazë në SHBA pritet të marrë leje që duket se do të hasë kundërshtime. Kjo, pasi kërkimet parashikojnë dhe zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar të Zagorisë.

Projekti do të angazhojë rreth 200 punëtorë, ku pjesa më e madhe do të jenë vendës, ndërsa blloku i kërkimit do të ketë shtrirje në jug deri afër kufirit me Greqinë dhe deri në 200 kg në jug të Tiranës. Në një dëgjesë publike të organizuar në Gjirokastër me praninë e përfaqësuesve të kompanisë, drejtues të institucioneve shtetërore dhe grupet e interesit, këta të fundit kanë shprehur hapur kundërshtimin e tyre për nisjen e kërkimeve në këtë zonë me potenciale të mëdha natyrore, kulturore dhe turistike.

Gentjan Selmani, përfaqësues i kompanisë “Shell”, pohoi se vrojtimi sizmik do të kryhet pa dëmtuar natyrën. Ndërsa eksperti i mjedisit, Klodjan Aliu, që ka qenë pjesë e hartimit të raportit, u shpreh se projekti nuk tjetërson territor, nuk përdor teknologji që hap rrugë e shtigje të reja. “Është shteti shqiptar ai që do të studiojë nëntokën dhe për këtë ka kërkuar kompani të shumta, ndër të cilat edhe ‘Shell’, për të kryer këtë studim që nuk është i iniciuar nga kompania dhe shërben që shteti shqiptar të studiojë nëntokën e vet”, tha Aliu.

Nënkryetari i Bashkisë Libohovë, Ilia Kuro, pjesë e së cilës është zona e Zagorisë, tha se kërkimet për naftë janë në shkelje të ligjit nëse lejohet një gjë e tillë. “Ligji për zonat e mbrojtjes ka si qëllim të krijojë mbrojtje të veçantë për zonat e mbrojtura për vlerat natyrore që ka. Ose do kemi turizëm, ose nxjerrje nafte apo gazi. Ndërhyrjet e ‘Shell’-it do të shkaktojnë pasoja për florën dhe faunën duke e dëmtuar atë. A do ruhen këto parqe apo do të shndërrohen në zona naftënxjerrëse? A duhet futur ‘Shell’ në zonat e mbrojtura apo jo? A nuk është kjo në shkelje me ligjin?”, theksoi ai.

Nga ana e tij, administratori i njësisë së Zagorisë u shpreh se pak kohë më parë banorët kërkuan shtrimin e 500 m rrugë kalimi me beton, por “nuk u lejuan pasi është zonë e mbrojtur, ndërkohë po flasim për punime me eksploziv”. Fushata e vrojtimit sizmik pritet të nisë në tremujorin e dytë të vitit 2019 për një periudhë 6 mujore ku do të shpohen 3000 puse plasjesh me një ngarkesë eksplozive deri në 4 kg.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme