Arbëri

Pacolli kërkon prani edhe më të madhe gjermane në Kosovë

Descriptive Text

10 janar – Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, z. Behgjet Pacolli, sot në takim me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas, ka falënderuar Gjermaninë për përkrahjen e vazhdueshme të këtij shteti për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Pasi e ka uruar fillimisht për praninë e Gjermanisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për dy vitet që vijnë, Pacolli ka potencuar që Kosova dëshiron edhe më shumë prani të Gjermanisë përmes ekonomisë dhe investitorëve të saj në vend.

Prania e Kosovës përmes rreth 400.000 qytetarëve të saj në Gjermani dhe kontributi i Gjermanisë në ndërtimin e paqes për 20 vite me radhë nga Bundeswehri dhe tashti angazhimit nëpërmjet GIZ-it dhe Kampit për Inovacion në Prizren vetëm sa thellojnë bashkëpunimin mes dy vendeve tona, thuhet në njoftimin për media të MPJ-së.

Tema të diskutimit në mes ministrit Pacolli dhe homologut gjerman, Maas, ishin edhe përkrahja e Gjermanisë për përfundimin e negociatave në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë me njohje reciproke dhe anëtarësim të Kosovës në OKB.

Ministri Maas ka thënë se do të përkrahë Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave, në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, ndërsa një mbështetje të veçantë Pacolli ka hasur edhe në përshpejtimin e procedurës së njohjes së patent-shoferëve në mes Gjermanisë dhe Kosovës.