Arbëri

IKD: KGJK dhe OAK të anulojnë vendimet që kufizojnë punën në sistemin e drejtësisë

 

Instituti i Kosovës për Drejtësi përmes një njoftimi për media ka reaguar ndaj vendimeve të dy institucioneve në kuadër të sistemit të drejtësisë, përkatësisht vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për kufizimin e qasjes së avokatëve në gjykata dhe vendimit të Odës së Avokatëve të Kosovës me bojkotimin e seancave gjyqësore, të cilat sipas IKD-së janë duke prodhuar dëme të mëdha në kurriz të sistemit të drejtësisë dhe sidomos në dëm të drejtave dhe lirive të qytetarëve që janë subjekt të procedurave gjyqësore, transmeton KosovaPress.

IKD si organizatë që monitoron sistematikisht sistemin gjyqësor dhe prokurorial, gjen se këto vendime janë duke prodhuar dëme të mëdha, të cilat po ndikojnë drejtpërdrejtë në shkeljen e të drejtave të qytetarëve. Bazuar në të dhënat e monitorimit sistematik të IKD-së, rezulton se vetëm me 9 janar 2019, janë shtyrë 161 seanca gjyqësore në çështjet penale. Në të gjitha këto raste, më së shumti janë duke pësuar palët në procedurë, duke mos arritur të realizojnë të drejtat e tyre të garantuara me legjislacionin pozitiv. IKD shpreh shqetësim për këtë situatë të krijuar për shkak të qasjes së KGJK-së dhe OAK-së, të cilat kanë ndikuar që një numër i madh i rasteve të natyrës urgjente siç janë ato të paraburgimit të dështojnë më 9 janar 2019. Me këtë problem janë duke u ballafaquar gjykatësit dhe prokurorët edhe sot me datë 10 janar 2019 për shkak të natyrës urgjente q ë kanë këto raste, të cilat nuk mund të procedohen pa përfaqësimin e avokatëve.