Arbëri

Sëmundja nga e cila vuan Isa Mustafa

Foto: Koha

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka treguar se vuan nga një sëmundje shumë e rrallë që njihet si “Sindomi Gulian Barren”.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka treguar që sot mbushen një vit nga përballja e tij me rehabilitim shëndetësor. Ka thënë se diagnozën e ka identifikuar një doktor në Spitalin Amerikan.

Mustafa, ka treguar se fatmirësisht, gjendja e tij po përmirësohet gradualisht.

Lexoni të plotë postimin e Isa Mustafës:

Sot mbushet një vit i përballjes sime me rehabilitimin shëndetësor. Në mbrëmjen e 7 janarit 2018 sa isha në fshat ndjeva se po humbi fuqinë e duarve dhe këmbëve. Pas 24 orëve në Spitalin Amerikan, dr Blerim Myftiu identifikoi diagnozën e saktë, Sindromin Gulian Barren dhe shkroi terapinë e nevojshme. Në Gjermani ishin të habitur për identifikimi e shpejtë që iu bë nga mjekët kosovar kësaj sëmundjeje shumë të rrallë (një deri dy raste në njëqindmijë banorë).

Sot, kur po shkruaj me duart e mia, shfrytëzoj rastin të falënderoj ekipin e mjekëve dhe infermierëve të Spitalit Amerikan në Prishtinë, që në ditët e para të sëmundjes u përkujdesën për mua, të falënderoj prof.dr. Halill Krasniqin, për kujdesin e vazhdueshëm sa isha i shtruar në Qendrën e Rehabilitimit “Quellenhof”, në Bad Vil Baden të Gjermanisë dhe veçmas prof dr. Afrim Gashin dhe ekipin e shkëlqyeshëm të fizioterapeutëve në Prishtinë, Nadira Boshnjaku dhe Amir Tyrbetari dhe nipi im Feti Gashi.

Gjatë gjithë kësaj kohe, edhe pse një periudhë isha krejtësisht i palëvizshëm nga duart dhe këmbët, kisha kurajo të sfidohem me këtë sëmundje; kisha besim në zotin, në veten time dhe në mjekët se do tw rikuperohem. Gjatë gjithë kësaj kohe nuk kam pushuar së punuari dhe lexuari. Rikthimi po vjen ngadalë, me rendin e vet.

Për mua familja ka qenë gjithherë e shenjtë. Bashkëshortja Qevseri, djemtë Arbeni e Besniku, vajza Aferdita, vëllau Mustafa dhe vajza e tij Blerina, nuk më kanë lënë asnjë minutë vetëm, qoftë në Spitalin Amerikan, pastaj tre muaj në Gjermani dhe tani në Prishtinë. Pa përkrahjen e tyre vështirë se do të përballoja. Afër familjes, gjatë qëndrimit në Gjermani kanë qëndruar dhe ndihmuar Valon Ademi, Remzi Ejupi, Vlora Dumoshin, Valon Dumoshi e Naser Gashi.

Falënderoj miqtë, bashkëpunëtorët nga LDK, nga ASHAK, Fakulteti Ekonomik, përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës, të Republikës së Shqipërisë dhe liderët politik shqiptar nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës të cilët më dhanë kurajë gjatë kësaj periudhe. Veçmas falënderoj fqinjët, qytetarët dhe bashkatdhetarët për interesimin e tyre!