Arbëri

Çmimi i naftës shënon rritje të ndjeshme në javën e parë të Vitit të Ri

Foto: Koha

Çmimet e naftës u rritën fuqishëm në javën e parë të Vitit të Ri pas një rënie të mprehtë vitin e kaluar, pasi investitorët shpresojnë se SHBA dhe Kina së shpejti do të arrijnë një marrëveshje mbi tregtinë dhe se rritja e ekonomive më të mëdha në botë do të stabilizohet.

Në Londër, çmimi i një bareli naftë u rrit 9.3 për qind në 57.05 dollarë, ndërsa në tregun amerikan një barel naftë u rrit 5.8 për qind në 47.95 dollarë.

Pas rënies prej më shumë se 20 për qind në 2018, në javën e parë të Vitit të Ri, çmimet e naftës kompensuan disa nga humbjet, transmeton Hina.

Përveç kësaj, kohët e fundit, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe partnerët e saj, të kryesuar nga Rusia, ranë dakord të shkurtonin prodhimin me 1.2 milion fuçi në ditë që nga fillimi i vitit 2019.

Në të njëjtën kohë, OPEC do të reduktojë prodhimin me 800 mijë fuçi në ditë, dhe prodhuesit e pavarur nga 400 mijë fuçi, të cilat duhet të zvogëlojnë mungesën e baraspeshës mes kërkesës dhe ofertës.

Hulumtimi i Reuters ka treguar se prodhimi i OPEC-ut tashmë është zvogëluar me 460 mijë fuçi në ditë që në dhjetor.

Pritet gjithashtu që të reduktohet prodhimi në SHBA pas arritjes së një rekordi prej 11.6 milion fuçi në ditë vitin e kaluar, duke e bërë SHBA prodhuesin kryesor të naftës në botë, para Arabisë Saudite dhe Rusisë.