Arbëri

Rikalo pritet të shkarkohet javën e ardhshme

Foto: Koha

Janari nuk e ka gjetur Kosovën me buxhet të miratuar për vitin e ri fiskal dhe Qeveria nuk ka dhënë sinjale se mund t’i ndërmarrë shpejt veprimet që Partia Socialdemokrate (PSD) në opozitë i ka listuar si kushte për të dhënë votën pro buxhetit. Megjithëkëtë, burime të gazetës kanë thënë se në këtë drejtim do të lëvizet javën e ardhshme, shkruan sot Koha Ditore.

Gati gjatë gjithë vitit të shkuar Qeveria ka funksionuar duke mos e pasur shumicën në Kuvend. Kjo pasi, në mars, formalisht Lista Serbe me 10 deputetët e saj ka dalë në opozitë, por ministrat nga radhët e saj kanë vazhduar t’i ushtrojnë funksionet dhe për punën e bërë nuk i kanë raportuar as Kuvendit dhe as Qeverisë.

Në fundvit me votat e deputetëve të PSD-së buxheti ka kaluar në parim, ndërsa një nga kushtet që kjo parti ka paraqitur për ta dhënë votën edhe në leximin e dytë është shkarkimi i së paku njërit prej ministrave serbë – Nenad Rikalos, që e drejton Ministrinë e Bujqësisë.

Një burim i gazetës në Qeveri ka thënë se javën e ardhme mund të shihen rezultate konkrete.

“Menjëherë pas festave të ndërrimit të viteve, pra prej të martës, mund të shihen veprime në këtë drejtim”, ka thënë ky burim i gazetës. “Është shumë e mundshme që ministri Rikalo të shkarkohet brenda asaj jave”.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)