Arbëri

Kosova, edhe sivjet mund të mos kandidojë për anëtarësim në Interpol

Kosova mund të tërhiqet nga kandidimi për anëtarësim në Interpol këtë vit, raporton KTV.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se fillimisht, lidhur me këtë, do ta bëjnë një analizë të brendshme të të gjithë procesit.

Për më tepër, Haradinaj ka lënë të kuptohet se në vendimin për kandidim ose jo, do të luajë rol dialogu me Serbinë dhe arritja e një marrëveshjeje eventuale me shtetin serb.

Përndryshe, Qeveria e Kosovës, në vitin 2018, kishte ndarë 1.2 milionë euro për lobim për anëtarësim në Interpol, e që prej tyre janë shpenzuar rreth 280 mijë euro.

Veton Elshani, kryesues i grupit punues për anëtarësim në Interpol në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka konfirmuar për KTV-në se mjetet e mbetura do të rikthehen në buxhetin e shtetit, por nuk ka dashur të flasë se si dhe ku shkuan mjetet e shpenzuara.

Kosova dështoi të anëtarësohet në Interpol në nëntor të vitit të shkuar, derisa në vitin 2017 qeveria ishte tërhequr nga kandidimi për anëtarësim.