Arbëri

Haradinaj apelon të mos festohet me armë – vjet propozonte që kjo dukuri të legalizohej

Foto: Alban Bujari

Ndërkohë që na ndajnë dhe disa orë para festës së ndërrimit të motmotit, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka dalë me një apel për të gjithë qytetarët e vendit.

Ai gjatë një vizite që pati sot në Policinë e Kosovës, ka kërkuar nga qytetarët që të mos gjuajnë me armë zjarri gjatë festës së Vitit të Ri, në mënyrë që të mos vijë deri te më e keqja.

“Bëj apel te qytetarët që mos të gjuajnë me armë, të kenë kujdes nga mjetet pirotektnike. Të festojmë me lajme të mira”, porositi Haradinaj, shkruan ksp.

Por, rreth një vit më parë, duke folur rreth gjuajtjes me armë nga zëvendësi i tij, Dardan Gashi, Haradinaj thoshte se të gjuash me armë s’bëhet kiameti.

Në një video, zëvendëskryeministri dhe ministri i Diasporës, Gashi, ishte parë duke shkrepur armën në një aheng të organizuar nga zv/km Fatmir Limaj pas lirimit nga akuza në rastin MTPT, raporton Koha.net.

Haradinaj, në një intervistë për Interaktiv të KTV-së dhjetorin e kaluar, pati thënë se edhe ai vet ka shkrepur armë nëpër ahengje.

“Nuk e di qëllimin e asaj ndeje, por të jem i sinqertë, edhe unë ‘qes’. Më ka ndodhë në Dukagjin ‘kanunqe’... ta sjell i zoti i shtëpisë armën që të gjuash, dhe gjuan. Mund ta bëjmë dhe me ligj ndoshta që në raste gëzimi të përdorim armën. Nuk është gjest i mirë prej një ministri... Më ka ndodhur në një aheng kur i zoti i shtëpisë më ka thënë se ma ke nderuar truallin e konakun dhe ma ka dhënë armën dhe kam gjuajtur... Më ka thënë se këtë armë e kam të bekuar që e preku dora juaj... Çka të bësh... nuk është mirë... është shkelje ligjore sikur kur e tejkalon shpejtësinë me veturë, por ndodh kjo në Kosovë. Me Gashin nuk kam folur për këtë temë. Për mua nuk është kiamet kjo punë. Në ato fshatrat e tyre, nuk ke kë ta trembësh nëse gjuan me armë...”, kishte thënë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.