Hoti për Veselin: Një ditë na fyen, ditën tjetër na lut për unitet Foto: Driton Paçarada

Hoti për Veselin: Një ditë na fyen, ditën tjetër na lut për unitet

30 December 2018 21:34

Pak minuta pasi kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, lëshoi akuza për partitë opozitare, LDK dhe Vetëvendosje, të cilat sipas tij nuk po bëhen pjesë e Dialogut me Serbinë me të vetmin qëllim se duan të jenë në pushtet, ka reaguar shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti.

Zyrtari i LDK-së tha se Veseli një ditë fyen opozitën, ditën tjetër e lut për unitet ndërsa një ditë tjetër kacafytet me ndonjë deputet.

“Z. Veseli, një ditë e fyen e opozitën, tjetrën ditë e lut për unitet, e një herë tjetër kacafytet me ndonjë deputet”, shkroi Hoti në Facebook.

Unifikimi, sipas tij, arrihet me pranim të përgjegjësisë që secili ka në kapacitetet e veta respektive, ndërsa kërkoi nga Veseli që të pranojë përgjegjësinë për, siç tha, “dështimet që koalicioni PAN i ka sjell Kosovës gjate këtij viti”.

“Ai duhet të pranojë se koalicioni PAN nuk ka fuqi të qeveris në mënyrë demokratike me Kosovën. Ai duhet të pranojë se si Kryetar i Kuvendit ka dështuar të mundësojë funksionimin normal të Kuvendit, pasi të gjitha seancat e sesionin vjeshtor, nga data 13 shtator 2018 e këndej, janë të hapura”, theksoi Hoti, raporton Koha.net.

Tutje, shefi i deputetëve të LDK-së tha se Veseli, në vend të pranojë këto përgjegjësi, “ai bëri pazar me Buxhetin e Shtetit për të siguruar votat për kalimin e buxhetit për 2019 në lexim të parë. Ndërkaq, leximin e dytë e shtyn në vitin tjetër, duke krijuar vështirësi në ekzekutimin e shpenzimeve në fillim të vitit që vjen”.

Ne, tha Hoti, po punojmë për të unifikuar skenën politike për të ndryshuar këtë lloj të qeverisjes dhe atë, thotë ai, “e kemi arritur”.

“Opozita e sotme është shumë më e fuqishme se koalicioni PAN, si me numra në Kuvend ashtu edhe me mbështetje qytetare. Qeverisja e ardhshme e kësaj opozite do të adresojë strukturalisht të gjitha dëmet që koalicioni PAN i ka bërë Kosovës në vetëm një vit të qeverisjes. Kosovës i duhet qeverisje që punon për 20 vitet ardhshme, e jo politikanë oportunistë që çdo veprim të tyre e peshojnë në raport me votat e mundshme në zgjedhjet e ardhshme”, tha në fund Avdullah Hoti, Shef i Grupit Parlamentar të LDK-së.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme