Arbëri

Ndryshime në Qeverinë Rama, Shahini merr timonin e Arsimit e Cakaj të Diplomacisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë ndryshime në qeveri, të cilat i njoftoi gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste.

Në total Rama ka zëvendësuar shtatë ministra. Në mesin e ndryshimeve, janë edhe dy kosovarë që janë emëruar ministra. Kështu, Besa Shahini nga zv.ministre e Arsimit, është emëruar ministre, raporton KTV.

Shahini u emërua zëvendës ministre në vitin 2017. Deri në verë 2015, ka punuar si analiste me organizatën me bazë në Berlin, Iniciativa Evropiane për Stabilitet.

Ndërkaq Gent Cakaj është emëruar Ministër i Jashtëm, duke zëvendësuar kështu Ditmir Bushatin.

Cakaj në këtë dikaster ka mbuluar çështjet e integrimit evropian të vendit, ndërsa merr detyrën në një moment të rëndësishëm diplomatik.

Lajmi për emërimin e dy ministrave kosovarë në Qeverinë e Shqipërisë është pritur me reagime pozitive në vend. Por me ndryshimet në qeveri rezerva ka shprehur presidentii vendit Ilir Meta. Ai ka thënë se nëse nuk ndryshon filozofia e qeverisjes atëherë as zëvendësimet nuk kryejnë punë.

“Për mua është thelbësore të ndryshojë filozofia e qeverisjes, e cila duhet të jetë një filozofi bashkëpunuese. Bashkëpunuese me opozitën, bashkëpunuese me grupet e interesit, për bërjen e ligjeve më të mira dhe zbatimin e tyre” ka thënë Meta mes tjerash.

Entuziazëm për ndryshimet në qeveri nuk ka shprehur as Partia Demokratike.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se Rama mund të emërojë edhe shoferin e tij nëse do. Sipas tij Ministrat e larguar janë njerëz të korruptuar dhe të inkriminuar dhe ata duhet të dalin para drejtësisë e jo të shkarkohen.