Arbëri

Tri qasjet e SHBA-së për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi

Diplomatë perëndimorë kanë parë tri mënyra se si SHBA-ja mund të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi në mënyrë që të arrihet marrëveshja ndërmjet këtyre dy vendeve, transmeton Koha. net.

Mënyra e parë mund të quhet “modeli Kissinger”.

“Kjo vetëkupton që sekretari Shtetëror Pompeo ose këshilltari për Siguri Bolton, të përfshihen në negociatat ndërmjet Beogardit e Prishtinës, sado që s’është reale të pritet që kjo do të ndodhë në rastin e tillë. Kjo për shkakun se duket që as Pompeo dhe as Boltoni s’e kanë ndërmend ta marrin këtë rol të vështirë, që kërkon shumë kohë”, citon gazeta “danas” një diplomat perëndimor anonim që e ka komentuar angazhimin e SHBA-së në bisedat për Kosovën.

Si mënyrë të dytë të përfshirjes së SHBA-së, sipas burimeve të kësaj gazete, përmendet edhe “modeli Holbrooke”.

Kjo do të thotë emërim i një emisari special të rangut të lartë për pjesëmarrje në bisedime.

“Këtu më së shumti bëhet fjalë për dikë me përvojë të madhe diplomatike që e ka besimin e presidentit të SHBA-së dhe që bashkëpunon afër me sekretarin shtetëror. Në rastin e Kosovës, ky model është më realist nga modeli i Kissingerit, por mbetet për të parë se kujt do t’ia besojë këtë detyrë presidenti i SHBA-së marrë parasysh temparamentin e tij dhe gatishmërinë që shpesh t’i ndërrojë bashkëpunëtorët”, kanë thënë burime të kësaj gazete, transmeton Koha.net.

Si qasje të tretë të mundshme të Washingtonit në bisedat për Kosovën, trasnmeton Koha.net, diplomatët e përmendin të ashtuquajturin “model tradicional”. Në këtë rast, në bisedime do të përfshiheshin diplomatë të rangut më të ultë, ndërsa në fund të procesit do të përfshihej edhe vetë Presidenti ose sekretari i Shtetit në mënyrë që të finalizohet marrëveshja dhe të përgatitet ceremonina e nënshkrimit.

Diplomatët theksojnë se përkundër dëshirës së Trumpit që SHBA-ja të marrë pjesë aktivisht për zgjidhjen e kontestit Kosovë-Serbi, “adminstrata amerikane aktualisht nuk është e koordinuar mirë, ndërsa situata mund të të jetë edhe më e vështirë nga janari, kur demokratët do ta marrin Dhomën Përfaqësuese” .