Prokurorja e Prokurorisë Speciale, Drita Hajdari, nuk po dorëzohet.
Pasi Gjykata Themelore e Prishtinës ia hodhi poshtë kërkesën për përjashtimin e gjyqtarit Shashivar Hoti nga rasti “Pronto”, ajo bëri një tjetër hap, raporton KTV.
Hajdari kërkoi të shtyhet seanca e shqyrtimit të dytë, pasi bëri të ditur se kishte kërkuar hetim disiplinor me pretendime për shkelje të etikës nga ana e gjyqtarit Hoti.
Një kërkesë të tillë, pavarësisht kundërshtimeve të disa avokatëve, e respektoi gjyqtari Hoti.
Në seancën e shqyrtimit fillestar që u zhvillua në mesin e nëntorit, gjyqtari Hoti nuk kishte marrë parasysh insistimin e prokurores Hajdari që të lexojë aktakuzën.
Ajo kishte ngritur dyshime për objektivitetin dhe paanshmërinë e gjyqtarit, ndërsa pretendonte se ka informata që aktakuza në këtë rast do të hidhej poshtë qysh në seancën e dytë të shqyrtimit fillestar.
Kërkesa e Hajdarit për përjashtimin e gjyqtarit Hoti, megjithatë, ishte refuzuar nga kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, me arsyetimin se nuk kishte ndonjë rrethanë që do ta arsyetonte një veprim të tillë.
Prokuroria Speciale, për rastin “Pronto” aktakuzën e ngriti në prill të këtij viti për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës, në bashkëkryerje”.
Në mesin e të akuzuarve janë edhe ministri Besim Beqaj, deputeti Zenun Pajaziti dhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci.