Arbëri

Kurteshi: PSD-ja është pjesë e koalicionit PAN

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka folur për përbërjen e KQZ-së, ku përsëri akuzoi presidentin Hashim Thaçi.

Në Express Intervistën në KTV, ai e quajti ‘Lojë të kundërligjshme’, bllokimin që Thaçi ia ka bërë KQZ-së.

“Ai po bën shkelje kushtetuese e ligjore. Presidenti këtë e ka bërë në mënyrë të qëllimshme, po të hulumtohen mundësitë reale, baza e vetme që ai mbështetet është kapja e shtetit”, tha Kurteshi.

Kurteshi tha se tendenca e krejt kësaj, është ta dobësojë Lëvizjen Vetëvendosje.

“Përpjekja është që edhe në KQZ, që të merren vendime legjitime duke e shkelur ligjin. Ne këtë nuk do ta lejojmë. Sot i kemi dërguar edhe 2 emrat tanë që përfaqësojnë Lëvizjes Vetëvendosje, më duket edhe LDK-ja e ka bërë”, tha ai.

PSD-ja është pjesë e PAN-it, tha Kurteshi. “Nuk e di që KQZ-ja ka larguar PSD-në nga koalicioni PAN. Formalisht e praktikisht, PSD-ja është pjesë e koalicionit PAN. Kjo po tregohet me veprime, me mënyrën e votimit me mënyrën se si po ua bëjnë kuorumin këtij koalicioni. Le të thonë ata çka të donë, kjo po shihet. KQZ-ja është institucioni që Thaçi më së shumti ka dëshirë të bllokohet”, tha tutje.

Edhe Vetëvendosja sot përmes një komunikate tha se KQZ-ja duhet të përbëhet sipas rezultatit të zgjedhjeve pra dy anëtarë nga koalicioni PAN, dy anëtarë të Vetëvendosjes dhe dy anëtarë koalicioni LAA, siç e kërkon Kushtetuta dhe Ligji për zgjedhje, transmeton Koha.net.

Për negociatat me Serbinë e për ekipin e ri negociator, Kurteshi tha se Kadri Veseli e ka punën me Kuvendin, por ky veprim është para-politik.

“Konsensusi mund të bëhet edhe në Kuvend. Pse jashtë Kuvendit?”, pyet Kurteshi.

Këtë ekip negociator, ai e quajti ‘lëmsh, që askush s’di ta zgjidhë’.