Vetëvendosje: KQZ nuk mund të jetë si dëshiron  Thaçi, por si ka votuar populli Foto: Koha / ilustrim

Vetëvendosje: KQZ nuk mund të jetë si dëshiron Thaçi, por si ka votuar populli

18 dhjetor 2018 17:37

Përmes një deklarate për medie, Vetëvendosje ka thënë se KQZ-ja duhet të përbëhet sipas rezultatit të zgjedhjeve pra dy anëtarë nga koalicioni PAN, dy anëtarë të Vetëvendosjes dhe dy anëtarë koalicioni LAA, siç e kërkon Kushtetuta dhe Ligji për zgjedhje, transmeton Koha.net.

Ky është teksti i deklaratës:

Po bëhet një vit e gjysmë nga certifikimi i zgjedhjeve parlamentare dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk e reflekton përfaqësimin politik kushtetues.

KQZ-ja duhet të përbëhet sipas rezultatit të zgjedhjeve pra dy anëtarë nga koalicioni PAN, dy anëtarë të Vetëvendosjes dhe dy anëtarë koalicioni LAA, siç e kërkon Kushtetuta dhe Ligji për zgjedhje. KQZ nuk mund të ketë përbërje siç e dëshiron presidenti Thaçi por siç ka votuar populli.

Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij të vjetër e të rinj duan që PAN t’i ketë katër anëtarë e Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nga një anëtar.

Hashim Thaçi, shkeljen kushtetuese mbi njëvjeçare po e mbulon me shkelje të radhës. Roli i Presidentit është i kufizuar në konfirmimin e nominimeve kushtetuese të subjekteve politike që kanë marr pjesë në zgjedhjet e fundit, e kurrsesi të bëjë emërim mbi afërsi partiake të anëtarëve të KQZ-së mbi pazare politike e interesa personale.

Ky President i cili në vend të unitetit të popullit, përfaqëson përçarjen e tij, në vend të mbrojtjes së Republikës, simbolizon zvetënimin e saj, në vend të garantimit të institucioneve të pavarura, ngërthen si asnjë tjetër kapjen dhe uzurpimin e tyre, tash po synon t’i mohojë opozitës atë që ia kanë dhënë qytetarët dhe që ia garanton Kushtetuta dhe Ligji për zgjedhjet.

Ftesa e fundit nga zyra e Presidentit për nominimin vetëm nga një anëtar për Vetëvendosje dhe LDK-në, në ndërkohë që subjektet politike që ishin pjesë e PAN-it në zgjedhjet e fundit të nominojnë katër anëtarë është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës, Ligjin për zgjedhje dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetues 2015. Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se çka parasheh Kushtetua si grup parlamentar, aty thuhet qartë: “Sipas Kushtetutës, grupi më i madh parlamentar duhet te konsiderohet partia, koalicioni, iniciativa qytetare dhe kandidatë të pavarur që kanë më shumë vende në Kuvend, në kuptim të nenit 64 (1) të Kushtetutës, se çdo tjetër parti, koalicion, iniciativë qytetare dhe kandidatë të pavarur që kanë marrë pjesë si të tillë në zgjedhje... Kjo është ajo që parasheh Kushtetuta si grup parlamentar dhe, aq më tepër, që kjo është defacto në pajtim me praktiken parlamentare në shtetet demokratike”.

Ndërsa, ligji për zgjedhje e përgjithshme e përcakton se “Mandati i anëtarëve të KQZ-së fillon jo më vonë se gjashtëdhjetë (60) ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve për Kuvend”. Ky paragraf, përtej afatit se kur duhet të fillojë më së voni mandati i anëtarëve të KQZ-së, e qartëson gjithashtu edhe kriterin ligjor mbi subjektet legjitime për të bërë nominime për anëtarë të KQZ-së, sikurse që e garanton mekanizmin e domosdoshëm për vazhdimësi institucionale të një institucioni të përhershëm kushtetues. KQZ do të duhej të kishte përbërjen e re kushtetuese që në vitin e kaluar, ndërkohë Presidenti vazhdon të pres shfaqjen e “grupeve të reja parlamentare. Por, me logjikën e mospërfilljes së rezultatit të zgjedhjeve, në Kuvend të Kosovës mund të krijohen pafundësisht grupe parlamentare vetëm sa për të fituar apo shtuar numrin e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Për më tepër, nga përbërja kushtetuese dhe ligjore e KQZ-së varet edhe integriteti i organizimit të zgjedhjeve të ardhshme, sikurse që një KQZ antikushtetuese dhe antiligjore do te prodhonte vendime e veprime jokushtetuese e joligjore. Suspendimi i kushtetutshmërisë në vend, është faza e fundit para arbitraritetit të pushtetit autoritar.

Përpjekja për të përdorur institucionet kushtetuese, siç është KQZ për të paguar shërbimet dhe nënshtrimin e PSD-së, AAK-së dhe NISMA-s ndaj Thaçit, janë të papranueshme dhe paralajmërim i thellimit dhe zgjerimit të kapësve e të kapjes së shtetit”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme