Arbëri

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës rrëzon vendimin e MASHT-it për drejtorin e Institutit Pedagogjik

Foto: Koha

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë (KPMSHCK) ka nxjerrë vendim për kthimin e Nezir Çoçajt drejtor i Institutit Pedagogjik të Kosovës (IPK). Sipas vendimit të nxjerrë më 3 dhjetor, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) është e obliguar që në afat prej 15 ditësh, që nga data e pranimit të vendimit, ta kthejë Çoçajn në pozitën e drejtorit të IPK-së bazuar në aktemërimin e datës 29.11.2013, shkruan sot Koha Ditore.

Me vendimin e KPMSHCK-së shfuqizohet vendimi i Komisionit për zgjidhjen e kontesteve dhe ankesave në MASHT i datës 31 tetor 2018, i cili e kishte refuzuar ankesën e Çoçaj të cilën ai e kishte bërë pas vendimit të Ministrisë për të mos iu lejuar kthimi në Institut.

KPMSHC konsideron se Komisioni për shqyrtimin e ankesave i MASHT-it ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për shërbimin civil, Ligjit për procedurën e përgjithshme administrative dhe Rregulloren për procedurat e zgjidhjes së kontesteve dhe ankesave pasi ka dështuar të vërtetojë drejt gjendjen faktike dhe bazën juridike”.

“Kolegji për shqyrtimin e ankesave lidhur me pretendimet ankimore të ankuesit ka konstatuar që ankuesi pozitën drejtor i Institutit Pedagogjik të Kosovës e ushtron në bazë të aktemërimit të datës 29.11.2013, me afat të pacaktuar i cili është i nënshkruar nga sekretari i përgjithshëm i MASHT-it. Kolegji për shqyrtimin e ankesave ka konstatuar se e drejta për kthim në vendin e punës të ankuesit është konstatuar edhe në bazë të interpretimit ligjor të datës 28.7.2018 të sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Administratës Publike, ku theksohet se në bazë të Ligjit për shërbimin civil i ruhet e drejta për kthim në pozitën e mëparshme ose në një pozitë ekuivalente pas përfundimi të pezullimit të dakorduar apo pas përfundimit të mandatit”, thuhet në vendimin e KMPSHCK-së.(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)