Arbëri

OEAK: Prodhimi vendor nuk mjafton - nevojiten kapacitete të reja në sektorin e energjisë

OEAK: Prodhimi vendor nuk mjafton - nevojiten kapacitete të reja në sektorin e energjisë
Foto: AmCham
 

Furnizimi i qëndrueshëm me energji elektrike për sektorin privat është kyç në veprimtarinë e bizneseve. Mungesa e prodhimit të mjaftueshëm në këtë sektor reflekton në joqendrueshmëri të furnizimit e që pastaj rezulton në humbje të shumta për bizneset. Kjo u tha sot në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ku u diskutua mbi çështjen e situatës aktuale të furnizimit me energji elektrike në vend.

Valdrin Lluka, Ministër i Zhvillimit Ekonomik, njoftoi të pranishmit me gjendjen aktuale në vend në aspekt të furnizimit me energji elektrike. Ai tha se Ministria që ai drejton angazhohet vazhdimisht në mënyrë që t’iu përshtaten kërkesave të tregut duke siguruar kështu furnizim stabil të energjisë si për bizneset ashtu edhe qytetarët. Ministri Lluka shtoi se ndërprerjet të cilat zakonisht bëhen janë kryesisht nga mbingarkesa dhe punimet e kohëpaskohshme në rrjetin elektrik dhe se nuk ka reduktime për arsye të mungesës së prodhimit sepse energjia e munguar po sigurohet nga importi.