Arbëri

I ndalohet hyrja në SHBA Radosavleviqit, i dyshuar për vrasjen e vëllezërve Bytyçi

Departamenti Amerikan i Shtetit ia ka ndaluar hyrjen në SHBA shtetasit serb, Goran Radosavleviq si pasojë e përfshirjes së tij në disa raste të shkeljeve të mëdha të të drejtave të njeriut.

Ky urdhër bazohet në informatat kredibile që Sekretari i Shtetit ka ndaj zyrtarëve të huaj që janë të përfshirë në afera korruptive apo shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut dhe me këtë rast atyre dhe pjesëtarëve të familjes së tyre u ndalohet hyrja në SHBA.

“Radsosavleviq ishte përfshirë sipas informatave të besueshme në vrasjen e vëllezërve Bytyçi më 1999, tre vëllezër shqiptaro-amerikanë të vrarë në Serbi pas luftës në Kosovë”, thuhet në njoftimin e DASH-it, raporton Koha.net.

Ligji kërkon po ashtu që Sekretari i Shtetit të njoftojë publikisht ose edhe privatisht për këto vendime. Veç Radosavleviqit, DASH-i ka ndaluar hyrjen edhe për bashkëshorten e tij, Svetllana Radosavleviq, dhe të bijën e tij, Ana Radosavleviq.

Në fillim të luftës në Kosovë, Radosavleviqi ishte Ndihmës Shef i Stafit të Operacioneve Speciale dhe pjesëtar i MUP-it në Prishtinë. Më pas, ai u bë komandant i njësiteve elitare “anti-terrorizëm” të njohura si Grupet e Ndjekjes Operacionale (GNO) brenda Departamentit të Sigurisë Publike në MUP. Në fund të luftës së Kosovës, Radosavleviqi ishte komandant i qendrës për trajnime policore në Petrovo Selo, Serbi, dhe mori gradën e Nënkolonelit brenda MUP-it.

Radosavleviqi ka pranuar se ka qenë përgjegjës i operacionit policoro-ushtarak në Reçak më 15 janar të vitit 1999, rast i cili më pas u gjykua si krim lufte dhe krim kundër njerëzimit nga Tribunali i Hagës.

Veç kësaj, njësitet GNO që ai i ka mbikëqyrur dyshohen se kanë vrarë me dhjetëra civilë shqiptarë në masakrën e Qyshkut dhe janë të implikuar edhe në masakrën e 176 të burgosurve në Dubravë. Disa dëshmitarë kanë pohuar përfshirjen direkte të Radosavleviqit në këto masakra.

Vrasja e Ilir, Mehmet dhe Agron Bytyçit, më 1999, ka qenë pikë kyçe për marrëdhëniet SHBA- Serbi, teksa Beogradi tenton të integrohet më shpejtë me vendet Perëndimore.

Vëllezërit Bytyçi kanë qenë shtetas amerikanë dhe Uashingtoni ka kërkuar vazhdimisht drejtësi për ta.

Trupat e pajetë të tyre janë gjetur në qershor të vitit 2001 në një varrezë masive në Petrovo Sello në Serbi.

Më 2012 një gjykatë serbe për krime lufte ka liruar dy ish-zyrtarë policorë për përfshirjen e tyre në këto vrasje, me arsyetimin e provave të pamjaftueshme.