Mustafa: Rezoluta nuk është zgjidhje për dialogun por zgjatje afatshkurtër e mandatit qeverisës

Mustafa: Rezoluta nuk është zgjidhje për dialogun por zgjatje afatshkurtër e mandatit qeverisës

16 December 2018 11:03

Kuvendi i Kosovës, në seancën e djeshme të cilën mezi arriti të mbante shkaku i mungesës së kuorumit, më në fund arriti të votonte rezolutën e propozuar nga PSD-ja në lidhje me dialogun me Serbinë, pa votat e LDK-së dhe të Vetëvendosjes.

Për këtë çështje, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, tha se votimi në Kuvend i Rezolutës së propozuar nga PSD për dialogun me Serbinë, “nuk është zgjidhje për dialogun por, është zgjidhje afatshkurtër për të mbetur në pushtet koalicioni i dështuar qeverisës”.

“Ky nuk është vendim gjithëpërfshirës, siç dëshiron ta mashtrojë veten dhe adresën e vet ndonjë ndërkombëtar. Kosovës i nevojitet një proces i dialogut dhe marrëveshje e arritur dhe e përkrahur nga shumica e paraparë me Kushtetutë. Një marrëveshje e qëndrueshme. Çdo veprim tjetër është blerje kohe dhe mashtrim”, u shpreh Mustafa në Facebook.

Procesi dhe Marrëveshja eventuale për dialogun e ekipeve, siç i quan ai, “të improvizuara pa legjitimitet me votë të qytetarëve dhe e institucioneve pa legjitimitet kushtetues është në dëm të Kosovës dhe do të kundërshtohet fuqishëm nga LDK”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme