Arbëri

Rasti i vrasjes së 6 të rinjve serbë 20 vjet më parë në Pejë, afër vendit të krimit s’kishte shqiptarë

14 dhjetor janë mbushur 20 vjet nga rasti tashmë i njohur “Panda”, që ndodhi në qendër të Pejës, kur u vranë 6 të rinj serbë, ndërsa për të askush nuk u dënua deri më sot.

Në gjyqësorin e Kosovës rasti “Panda” nuk figuron, ndërsa në Serbi vazhdojnë të zhvillohen hetime, shkruan sot gazeta “Danas” e Beogradit, transmeton “Koha.net.

Kjo gazetë rikujton se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, disa herë ka përsëritur se ekzistojnë “disa njohuri” për rastin, por megjithatë ai ende nuk është zgjidhur.

Më 14 dhjetor të vitit 1998, dy meshkuj të maskuar hynë në kafenenë “Panda”, që ndodhej në qendër të Pejës, përballë Gjimnazit, dhe nga një rafal të shtënash nga armë automatike lanë të vdekur pesë nxënës serbë të shkollës së mesme, dhe një student, po ashtu serb U vranë Ivan Obradoviq, Zoran Stanojeviq, Svetisllav Ristiq, Dragan Trifoviq dhe Vukosav Gvozdenoviq dhe studenti Ivan Radeviq, rikujton “Danas”.

Vukçeviq, ish-prokuror për krime lufte i Serbisë, i tha kësaj gazete se prokuroria që e kishte drejtuar ai nuk ka qenë kompetente për rastin “Panda”, por informatat që i ka pasur flasin në favor të asaj se në afërsi të drejtpërdrejtë të kafenesë, si dhe në ambientin përreth nuk ka pasur shqiptarë, por vetëm ekskluzivisht ushtarë dhe policë serbë, dhe se bëhet fjalë “për obstruksion të rëndë të rastit”, transmeton Koha.net.

Duke pasur parasysh faktin se masakrën ndaj të rinjve serbë nuk e ka proceduar gjyqësori i Kosovës, rastin “Panda” më 2015 e ka marrë Prokuroria për Krim të Organizuar. Siç kanë shkruar mediat e Beogradit, deri në vitin e kaluar në kuadër të hetimeve që nga maji i vitit 2016 po i zhvillon kjo Prokurori kundër kryesve të panjohur, janë marrë në pyetje 34 dëshmitarë. Atëherë qe paralajmëruar, raportuan mediat, marrja në pyetje edhe e dëshmitarëve të tjerë dhe sigurimi i fakteve që mund të ishin me dobi për ndriçimin e rastit.

i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, disa herësh ka thënë se ekzistojnë “disa njohuri” rreth vrasjes së të rinjve, dhe se organet kompetente të Serbisë janë në kërkim të fakteve. Ka pohuar edhe se rasti do të ndriçohet më shpejt, mirëpo kjo ende nuk ka ndodhur, vrasësit vazhdojnë të jenë të lirë. Është interesante se disa herë ka theksuar se e vërteta nuk do t’i pëlqejë opinionit. Si pasojë ka pasur shumë spekulime, nga ato se krimin e kanë kryer pjesëtarët e UÇK-së, deri te ato të gishtit të pjesëtarëve të atëhershëm të policisë serbe, transmeton Koha.net.

Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, ka deklaruar se Fondi nuk ka kurrfarë të dhënash të hollësishme në lidhje me autorët dhe urdhërdhënësit e këtij krimi.

“Më duhet të them se ky është një krim i rëndë. Jeta e gjashtë të rinjve është ndërprerë para 20 vjetësh, kuptohet se tani më së rëndi e kanë familjet e tyre edhe për shkak se edhe më tutje manipulohet me atë se kush mund të ishin autorët dhe urdhërdhënësit. Ata jo vetëm që nuk e kanë parë drejtësinë, por as nuk e dinë as të vërtetën” ka thënë Blakaj, citon “Danas” t’i ketë thënë RTK2 (në gjuhën serbe). Dje në ambientet e Bibliotekës së Qytetit të Prishtinës, me organizim të Fondit është mbajtur orë publike rreth këtij krimi me fokus në viktimat e kësaj ngjarjeje.

Pa përgjigje nga Ministria e Drejtësisë

Redaksia e “Danasit” i ka drejtuar dje pyetje Ministrisë së Drejtësisë (fjala është për atë të Serbisë – v.j) nëse ka ndonjë njohuri të re në lidhje me rastin “Panda” me rastin e përvjetorit të masakrës ndaj të rinjve serbë në qendër të Pejës. Për fat të keq deri në mbyllje të këtij numri të gazetës (bëhet fjalë për “Danas” të datës 14 dhjetor – v.j) nuk kemi marrë kurrfarë përgjigjeje.