Nis seanca e jashtëzakonshme me 61 deputetë Foto: Koha

Limaj tregon disa nga temat që do të diskutohen në kuadër të dialogut me Serbinë

15 December 2018 18:21
19:07

Fatmir Limaj ka thënë se delegacioni do t’i marrë të gjitha dokumentet që janë hartuar deri më tani në kuadër të dialogut.

“Vazhdimisht do t’i raportojmë Kuvendit. Kemi rreth 15 tema që do t’i trajtojmë në Dialog, dhe do ta kemi dalëngadalë agjendën përpara. Sot Kosova dërgoi një lajm të rëndësishëm për partnerët. Jemi këtu, jemi të gatshëm për dialog. Njohja reciproke dhe arritja e paqes, përfundimi i dialogut. Tema që do të trajtohen gjithsesi janë të pagjeturit, dëmshpërblimi nga lufta, tema për suksesionin e Jugosllavisë, e të tjera”, theksoi Limaj.

18:57

Sejdiu: Tashmë Kuvendi ka timonin e dialogut

Deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu, parti e cila i propozoi Kuvendit të Kosovës rezolutën për dialogun me Serbinë, ka folur pas miratimit të kësaj rezolute në seancën e jashtëzakonshme.

Ai ka thënë se me këtë rezolutë, dialogu i kthehet Kuvendit ku sigurohen mekanizma mbikëqyrës në drejtim të dialogut.

“Dialogu më nuk është temë e një individi, por e deputetëve. Për PSD-në, është një kapërcim jashtëzakonisht i madh. Hera e parë që kemi prej nisjes Kuvendin në timon të dialogut. E kemi opozitën vendimmarrëse në dialog. Tash kemi monitorim prej fillimit të dialogut, dhe kemi zotim për një Ligj për dialogun”, theksoi ai.

Ai ka lutur sërish subjektet opozitare që të jenë pjesë e këtij dialogu.

“Tashmë ka mekanizëm me të cilin opozita e ka siguresën e vendimmarrjes”, tha ai.

Sejdiu tha se të hënën do të trajtohet tema e ligjit dhe se tashmë është çështje e formalizimit të punës së parë të ekipit.

“Delegacioni shtetëror është i vetmi që dialogon”, potencoi ai.

18:52

Kuvendi miraton rezolutën e PSD-së

Me 59 vota për dhe dy abstenime Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën e PSD-së për dialogun me Serbinë me të cilën synon t’ia marrë Hashim Thaçit mandatin e udhëheqjes së dialogut.

Pas gati pesë orë përpjekjesh është miratuar rezoluta që synon t’ia rikthejë Kuvendit përgjegjësitë për dialogun me Serbinë.

18:37

Ymeri prezanton ekipin negociator

Visar Ymeri i PSD-së, derisa ka prezantuar rezolutën e propozuar nga partia e tij, ka thënë se ekipi negociator do të përbëhet nga nëntë persona.

Ai ka thënë se ekipi negociator do të përbëhet nga Shpend Ahmeti, Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj, Avni Arifi, Behgjet Pacolli, Mahir Jagcilar dhe Dardan Gashi. Dy vendet e rezervuara për VV-në dhe LDK-në do t’i zë Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani.

18:21

Nis seanca e jashtëzakonshme me 61 deputetë

Pas katër orësh vonesë Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e jashtëzakonshme në të cilën pritet të votohet rezoluta e PSD-së për dialogun me Serbinë.

Seanca e paraparë të niste në orën 14:00 ka nisur me vonesë shkaku i mungesës së deputetëve që pas orës 18 mezi janë bërë 61 deputetë.

Në këtë seancë ka dështuar të votohet deklarata e Kuvendit të Kosovës që dënon ndalimin e deputetit Slobodan Petroviq nga ana e autoriteteve serbe.

Për të kanë votuar vetëm 60 deputetë ndërsa njëri ka deklaruar se nuk dëshiron të votojë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme