Stoltenberg shpreh keqardhje për themelimin e Ushtrisë së Kosovës pa pëlqimin e NATO-s

Stoltenberg shpreh keqardhje për themelimin e Ushtrisë së Kosovës pa pëlqimin e NATO-s

14 December 2018 12:18

Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg ka shprehur keqardhje për themelimin e Ushtrisë së Kosovës pa pëlqimin e NATO-s.

Në një komunikatë për media, Stoltenberg ka përsëritur qëndrimet e tij se krijimi i Ushtrisë së Kosovës është bërë në kohë të papërshtatshme, derisa ka thënë se NATO-ja tani do të rishikojë nivelin e angazhimit me FSK-në.

“Sot, institucionet në Kosovë kanë miratuar tri ligjet për procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Me keqardhje them se ky vendim është marrë përkundër shqetësimeve të shprehura nga NATO. Derisa transformimi i FSK-së është në parim çështje e Kosovës, ne e kemi bërë të qartë se është lëvizje në kohë të papërshtatshme”, ka thënë Stoltenberg.

“NATO përkrah zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me mandatin e tanishëm. Me ndryshimin e mandatit, Këshilli Veri-Atlantik tani do të rishikojë nivelin e angazhimit të NATO-s me Forcën e Sigurisë së Kosovës”, ka shtuar ai.

Stolenbergu gjithashtu ka përsëritur qëndrimin se NATO-ja do të mbetet e angazhuar në sigurinë në Kosovë përmes KFOR-it.

“Të gjitha palët duhet të sigurohen se vendimi i sotëm nuk do të ngritë tensione në rajon. Të gjithë faktorët politikë në rajon duhet të përqendrohen në reforma dhe në dialog. E përsëris qëndrimin tim ndaj Prishtinës dhe Beogradit që të mbesin të qeta dhe të mos japin deklarata dhe të mos bëjnë veprime që mund të shpien në eskalim të situatës. NATO vazhdon të përkrah dialogun e sponsorizuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës dhe është e vetmja zgjidhje politike për rajonin”, ka thënë ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme