Arbëri

Kandiq: Bashkëpunimi regjional për krimet e luftës të ngrihet në masë më të madhe

Në Prishtinë, sot është duke u mbajtur konferenca “Procedimi i krimeve të luftës: Bashkëpunimi rajonal – përvojat dhe sfidat”. Në këtë konferencë po marrin pjesë themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, përfaqësuesi i Ambasadës Britanike – Sam Paice, Drita Hajdari nga Prokuroria Speciale e Kosovës, si dhe përfaqësues nga institucione tjera.

“Edhe pse kontributi i Tribunalit të Hagës është i jashtëzakonshëm, ai vetëm një pjesë e ka konfirmuar sa i përket personave të pandehur për krime lufte. A është kjo e mjaftueshme? Natyrisht se jo. Ajo që na duhet neve sot është që të vëmë në lëvizje mekanizmin për pajtim që të mos ketë mospërsëritje të krimit, pra bashkëpunimi regjional për çështjen e krimeve të luftës. Shoqëria civile në gjithë vendet e ish-Jugosllavisë janë përgjegjës që bashkëpunimi regjional në procedimin e krimeve të luftës të ngrihet në masë më të madhe”, ka thënë themeluesja e fondit për të drejtën humanitare, Natasha Kandiq në konferencën “Procedimi i krimeve të luftës: Bashkëpunimi rajonal - përvojat dhe sfidat”, raporton “Koha Ditore”.

Përfaqësuesi i Ambasadës Britanike, Sam Paice ka thënë se rruga e vetme është pajtimi dhe ndërtimi i urave të bashkëpunimit mes popujve që jetojnë në këtë rajon.

“Lufta e fundit e ka lënë Kosovën me shumë viktima, familjarët e viktimave kërkojmë drejtësi dhe po ashtu, familjarët e të zhdukurve kërkojnë informacione për ta. Kosova ka shprehur gatishmëri për Gjykatën Speciale dhe e ka dëshmuar se nuk ka frikë nga kjo gjykatë. Megjithatë, nuk mund të presim rezultate kur të gjithë e dimë se vetëm një prokuror merret me krimet e luftës. Presim që zotimet e krerëve të shtetit që janë dhënë në Samitin e Ballkanit Perëndimor se do të angazhohen në trajtimin e këtyre temave të zbatohen”, ka thënë Paice.

Drita Hajdari nga departamenti për krime të luftës në Prokurorinë Speciale të Kosovës ka thënë: “I kemi mbi 1 mijë persona si të dyshuar për kryerjen e krimeve të luftës. Shumica janë jashtë Kosovës. Personat të cilët i kemi gjetur në Kosovë i kemi proceduar kurse për ata qe nuk gjenden në Kosovë mundësitë janë shumë të kufizuara pasi Prokuroria nuk mund të ngrejë aktakuzë pa e intervistuar të pandehurin”.