Arbëri

Shpresë që Lista Serbe mos të jetë pengesë për miratimin e projektligjit për arsimin e lartë në Kosovë

Komisioni parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi është duke shqyrtuar në parim projektligjin për arsimin e lartë në Republikën e Kosovës.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi ka thënë se ky është një ligj shumë i rëndësishëm për fushën e arsimit. Ai ka treguar se në projektligj janë bërë disa ndryshime.

"Qëllimet kryesore të ndryshimeve që janë bërë në projektligj kanë të bëjnë me modernizimin dhe qeverisjen në institucionet e arsimit të lartë në mënyrë që të ngritët cilësia. Kemi bërë kufizime në institucionet që kanë të drejtë të prodhojnë profesionistë të arsimit. Kjo kompetencë do të ju kalohet vetëm institucioneve publike", raporton Koha Ditore.

"Risia tjetër ka të bëjë me formën se si mund ta përfitojë statusin një institucion i arsimit të lartë qoftë publik ose privat, po ashtu, në ligj vërehen përgjegjësitë që do t’i ketë Agjencia e Akreditimit", ka thënë Bytyqi.

Ky projektligj sipas tij, është mjaftë modern në krahasim me ligjin që është në fuqi.

Kryetari i Komisionit, Ismajl Kurteshi ka thënë se shpresojnë që kësaj radhe Lista Serbe nuk do të jetë pengesë në miratimin e ligjit sikurse kishte ndodhur në të kaluarën.

"Mendoj se është me rëndësi që këtë projektligj ta miratojmë në parim", ka theksuar Kurteshi.