Presidenca e Qeveria fshehin kontratat për lobim (1) Foto: Koha / ilustrim

Presidenca e Qeveria fshehin kontratat për lobim (1)

Agon Osmani 08 dhjetor 2018 23:03

Komisioni Hetimor Parlamentar, në përbërje të 15 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu, ka hartuar raportin në lidhje me shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës e të cilin do t’ia paraqesë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim.

Në raportin që e ka siguruar Koha.net janë paraqitur pikëpamjet me shkrim të anëtarëve të Komisionit, Plani i Veprimit dhe lista e dëshmitarëve, letra e avokatit Geoffrey Nice si dhe raporti i Foreign Agents Registration Acts (FARA).

Komisioni ka ardhur në konkludim se dy institucionet shtetërore, Presidenca dhe Qeveria, duhet të hetohen nga organet kompetente shtetërore për shkak të obstruksioneve në të cilat kanë hasur gjatë hetimit për kontratat për lobim.

“Komisioni Hetimor Parlamentar konsideron se ka bazë serioze për dyshim për të dyja veprimet dhe fton organet kompetente të shtetit të nisin hetimet përkatëse në dy drejtime: a) në drejtim të obstruksionit të punës së Komisionit Hetimor Parlamentar; dhe b) në drejtim të sigurimit të dokumentacionit që kanë të bëjnë me kontratat në fjalë, përfshirë të gjitha raportet e punës nga kompanitë lobuese”, thuhet në raportin përfundimtar të Komisionit Hetimor Parlamentar.

Raporti i Komisionit tregon në hollësi për procesin e hetimit.

Në mesin e dëshmitarëve të ftuar nga Komisioni ishin Driton Gashi, sekretar i Zyrës së Presidentit, Hilmi Gashi, drejtor i Departamentit të Prokurimit në këtë zyrë, Fehmi Selimi, drejtor i Departamentit të Administratës dhe Buxhetit po në zyrën e Presidentit, si dhe Ardian Arifaj, këshilltar politik i Presidentit Hashim Thaçi.

Po ashtu, në listën e dëshmitarëve ishin edhe zyrtarë nga ministria e Punëve të Jashtme, si ministri Behgjet Pacolli, Hashim Thaçi, Enver Hoxhaj e Petrit Selimi si ish-ministra, Fitim Sadiku, sekretar i Përgjithshëm, Arben Loshi, drejtor i Prokurimit, Blerim Xhemajli, drejtor i Departamentit të Financave dhe Shërbimeve, Vlora Çitaku, ambasadore dhe Heroina Telaku, ministër-këshilltare.

Nga Ministria e Financave ishin ftuar ministri aktual, Bedri Hamza dhe ish-ministri Avdullah Hoti. Ndërkaq, siç thotë komisioni, intervistat me Hamzën e Hotin janë anuluar pasi, siç thuhet në raport, të dy kanë shprehur gatishmërinë për të dëshmuar dhe kanë pranuar ftesat e Komisionit Hetimor Parlamentar.

Kurse nga dëshmitarët e jashtëm ishte ftuar vetëm avokati Jeoffrey Nice.

Komisioni, në raportin e siguruar nga Koha.net, tregon të ketë kërkuar nga zyra e Presidentit të Kosovës kontratën për shërbime e lidhur mes kësaj zyre dhe “Ballard Partners, Inc.” në Washington, për periudhën 22 dhjetor 2017 deri më 21 dhjetor 2019, me detyrime për 52 mijë dollarë në muaj.

Për këtë kontratë, në intervistë nga Komisioni është ftuar menaxheri i saj, Ardian Arifaj, i cili, sipas raportit, “është shprehur i rezervuar për t’ju përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me detajet për ofrimin e shërbimeve duke thënë se dëmton konfidencialitetin e saj, edhe pse nuk ka paraqitur asnjë dëshmi për kualifikimin e këtyre informatave si konfidenciale”.

Për zbatimin e kësaj kontrate, Komisioni ka intervistuar edhe Driton Gashin, Hilmi Gashin, Fehmi Selimin, ndërkaq, siç thotë Komisioni, “letërthirrjes së komisionit nuk i është përgjigjur Presidenti i vendit, z. Hashim Thaçi”.

“Këta janë deklaruar se kanë përmbushur obligimet të cilat kanë pasur të bëjnë me çështjen e realizimit të pagesave në aspektin financiar dhe të prokurimit sipas rregullave të Ligjit për prokurimin në Republikën e Kosovës, mirëpo nuk kanë dhënë detaje rreth raporteve të punës nga ana e punëkryesit, të cilat mungonin në material dhe asnjëherë nuk janë dërguar nga Presidenca, përkundër kërkesave të përsëritura nga Komisioni”, thuhet në raport.

Tutje, në raport tregohet edhe për raportimet e bëra nga zyrtarë të MPJ-së në lidhje me kontratat-marrëveshjet dhe shpenzimet që kanë lidhje me lobim të Republikës së Kosovës nga viti 2010 në lidhura ndërmjet MPJ-së dhe “Alston & Bird LLP”, pastaj me “Squire Patton Boggs”, dhe me “Cambridge Academy of Global Affairs”, ndërsa periudha e lidhjes së kontratave është e ndryshme dhe detyrimet financiare janë të ndryshme lidhur me kryerjen e shërbimeve.

Nga MPJ, në raportim janë paraqitur Enver Hoxhaj e Petrit Selimi në cilësinë e ish-ministrave të Jashtëm, pastaj Vlora Çitaku, ambasadore e Kosovës në Washington, Heroina Telaku, ministër-këshilltare, Fitim Sadiku, sekretar i Përgjithshëm dhe Arben Loshi, drejtor i Prokurimit. Ftesës për raportim, dërguar pesë herë, sipas raportit të siguruar nga Koha.net, nuk i është përgjigjur ministri aktual i Jashtëm, Behgjet Pacolli, e as presidenti i vendit, Hashim Thaçi, të cilit i është dërguar ftesa tre herë.

Përqendrimi i Komisionit ka qenë tek keqpërdorimi i buxhetit të Republikës së Kosovës në rastin e lidhjes së kontratave për lobim nga viti 2010 e deri në vitin 2018.

Pas punës 6 mujore, intervistimit të dëshmitarëve dhe vlerësimit të materialeve dhe dëshmive në dispozicion, Komisioni Hetimor Parlamentar ka nxjerrë disa konkluza dhe rekomandime.

Komisioni thotë se në pranimin e kontratave nga MPJ (tri) dhe nga Presidenca (një), është vërejtur se dokumentet nuk kanë qenë të kompletuara.

“Komisioni Hetimor Parlamentar ka pranuar gjithsejtë katër kontrata; 3 nga MPJ dhe 1 nga Presidenca. Kontratat e pranuara janë: (nga MPJ) ‘Alston & Bird LLP’ në vlerë prej 780,000 dollarë; ‘Squire Patton Boggs’ në vlerë prej 1,331,407.8 dollarë; ‘Cambridge Academy of Global Affairs’ në vlerë prej 40,000 eurosh dhe nga Presidenca ‘Ballard & Partners’ në vlerë prej 1,248.000 dollarë. Të katër kontratat bashkë janë të vetmet kontrata të dorëzuara në komisionit, si pjesë e hetimit nga viti 2010-2018. Dokumentet e pranuara nga Qeveria, përkatësisht nga MPJ, dhe Presidenca, kanë qenë të pakompletuara në pjesën më të madhe të tyre. Për më shumë, ka dëshmi që kontrata të caktuara janë mbajtur fshehtë, sepse siç dëshmohet nga raportet në FARA në Departamentin e Drejtësisë në SHBA, kishte kontratë për qëllime lobimi edhe me ‘Podesta Group’”, thotë Komisioni, raporton Koha.net.

Në raport thuhet se për kontratën me “Alston & Bird”, që ka zgjatur 12 muaj, Komisioni ka pranuar raporte të punës për vetëm 8 muaj, ndërsa për 4 muajt e fundit të kontratës, raportet nuk janë dorëzuar fare.

Për kontratën me “Patton Boggs”, me kohëzgjatje 34 mujore, çështja është më serioze. Komisioni thotë të ketë pranuar raporte të punës vetëm për 7 muaj të kësaj kontrate, kurse për 27 muajt tjerë, raportet nuk janë dorëzuar fare edhe përkundër insistimit të komisionit për qasje në to, madje edhe përkundër, siç thotë raportit, “konfirmimit të dëshmitarëve në disa raste se raportet në fjalë ekzistojnë”.

Kontrata me “Ballard and Partners” ka zgjatur 24 muaj, ndërsa Komisioni Hetimor Parlamentar nuk ka pranuar asnjë raport. “Dosja e vetme që ka pranuar Komisioni në lidhje me këtë kontratë është kontrata mes Presidencës dhe kompanisë në fjalë (kontratë me vëllim prej 2 faqesh) dhe një konfirmim të Presidencës (të datës 11.7.2018) mbi shumën financiare të paguar deri më tani. Raportet e punës në lidhje me kontratën në fjalë nuk janë dorëzuar asnjëherë sepse, ose janë fshehur qëllimit nga Komisioni Hetimor Parlamentar ose nuk ekzistojnë fare”, thuhet ndër të tjera në raport.

Kurse për kontratën me “Cambridge Academy of Global Affairs”, me kohëzgjatje 4 mujore, janë dorëzuar vetëm dy raporte.

“Përkundër insistimit të vazhdueshëm [të Komisionit për t’iu qasur raporteve të plota], MPJ-ja dhe Presidenca kanë refuzuar t’i përcjellin ato. Fshehja dhe mosdorëzimi i dokumenteve relevante përbën shkelje të Ligjit për Hetime Parlamentare (Neni 18.4) dhe përbën njëkohësisht obstruksion të rëndë në kryerjen e obligimeve ligjore të Komisionit Hetimor Parlamentar. Komisioni, gjatë intervistave të dëshmitarëve, ka arritur të vërtetojë se disa nga dokumentet në fjalë kanë ekzistuar në institucionet përkatëse – së këndejmi mosdorëzimi i tyre përkundër insistimit të përsëritur të Komisionit për qasje në to, përbën shkelje dhe obstruksion të qëllimshëm në punën hetimore. Për shembull, Menaxherja e kontratës me ‘Alston & Bird’, znj. Vlora Çitaku, si dhe menaxherja e kontratës me ‘Patton Boggs’, znj. Heroina Telaku, gjatë intervistimit të tyre kanë dëshmuar se raportet e kontratave kanë ekzistuar dhe do të duhej të ekzistonin sot në arkivat e MPJ-së. Ekzistenca e raporteve është konfirmuar edhe nga dëshmia e ish-ministrit të Punëve të Jashtme, z. Enver Hoxhaj”, thekson raporti i Komisionit Hetimor Parlamentar.

Ndërkaq, për kontratën mes Presidencës dhe “Ballard and Partners”, menaxheri i kësaj kontrate, ardian Arifaj, sipas Komisionit, “ka dhënë dëshmi kontradiktore”.

“Në intervistën e parë, i njëjti ka dëshmuar se kontratat në fjalë nuk mund të bëhen publike për komisionin sepse ato ‘konsiderohen si sekret’. I njëjti ka kërkuar kohë shtesë konsultimi me zyrën ligjore për të ofruar dokumentet në fjalë apo jo. Në insistimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për të marrë dëshmi mbi klasifikimin e dokumenteve ose jo, të njëjta nuk janë dhënë asnjëherë. Në intervistën e dytë, i njëjti e ka ndryshuar dëshminë, duke dëshmuar se raportet e punës janë bërë një ‘formë gojore’ dhe se ‘Zyra e Presidentit i ka ndarë me komisionin të gjitha materialet të cilat i posedon për kontratën me Ballard Partners’”, thotë Komisioni, raporton Koha.net.

Ndërkaq, shton se në rast të ekzistimit të raporteve për kontratën e sipërpërmendur, mosdorëzimi i tyre në Komisionin Hetimor Parlamentar, “kemi të bëjmë me një shkelje të rëndë të procedurave hetimore”, kurse “në rast të mosekzistencës së raporteve në fjalë, atëherë kemi të bëjmë me shkelje të rëndë të ligjit të prokurimit”.

Si përfundim, “Komisioni Hetimor Parlamentar konsideron se ka bazë serioze për dyshim për të dyja veprimet dhe fton organet kompetente të shtetit të nisin hetimet përkatëse në dy drejtime: a) në drejtim të obstruksionit të punës së Komisionit Hetimor Parlamentar; dhe b) në drejtim të sigurimit të dokumentacionit që kanë të bëjnë me kontratat në fjalë, përfshirë të gjitha raportet e punës nga kompanitë lobuese”.

Komisioni thotë se ka pasur obstruksion në punën e vet, jo vetëm nëpërmjet prezantimit të dokumenteve të pakompletuara dhe fshehjes së dokumenteve relevante, por edhe nëpërmjet mosardhjes së dëshmitarëve në seanca intervistuese. Thotë t’i ketë dërguar tre ftesa të njëpasnjëshme ish-ministrit të Jashtëm, njëherësh presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, por nuk ka arritur ta intervistojë atë. Madje thotë se Komisioni nuk ka marrë fare përgjigje nga Presidenca për konfirmim ose moskonfirmim të pjesëmarrjes.

Refuzim për intervistim ka treguar edhe ministri aktual i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, i cili, sipas raportit të Komisionit, ka pranuar 5 ftesa të vazhdueshme e të cilat “janë injoruar në vazhdimësi”.

“Komisioni konsideron obstruksion edhe vonesën e paarsyeshme për dëshmi të këshilltarit të Presidentit, z. Ardian Arifaj. Ftesat e dërguara në datat 22.10.2018, 29.10.2018 dhe 02.11.2018 nuk kanë marrë përgjigje pozitive, duke rezultuar në vonesa serioze të punës së Komisionit Hetimor Parlamentar”, theksohet në raportin e Komisionit.

Nesër Koha.net publikon edhe pjesë tjera të Raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme