Arbëri

Dy ditë diskutime mes akuzash, për buxhetin që s’ka votat për miratim

As në ditën e dytë të debatit nuk është vënë në votim buxheti i vitit të ardhshëm, për shkak të mungesës së deputetëve në sallë.

Të premten, shumicën e kohës debati është zhvilluar me veç një ministër aty.

Për një nga ligjet më me rëndësi, kryeministri nuk u duk në sallë, derisa opozita e ka quajtur buxhet elektoral këtë të planifikuar nga qeveria Haradinaj, raporton KTV.

Driton Selmanaj i LDK-së ka akuzuar qeverinë se po ndan miliona për shoqata joqeveritare, siç është rasti me “Ta pastrojmë Kosovën”, duke ngjallur kështu reagimin e Ministrit kujdestar në këtë seancë, Bedri Hamza.

Deputetja Mimoza Kusari Lila, ka pyetur se pse duhet të rritet buxheti për veteranë. në kohën kur thuhet se listat duhet të pastrohen.

Ndërkohë, shefi i deputetëve të AAK-së, Ahmet Isufi, i ka tërhequr vërejtjen qeverisë për kujdes më të madh për fshatrat përreth kufirit.

Ndërkohë, deputeti i Vetëvendosjes Shemsi Syla, ka thënë se Qeverisë i mungon strategjia për zhvillimin e ushtrisë, duke u përplasur kështu me ministrin Hamza.

Keqardhje për ministrin e vetëm në sallë Bedri Hamza, ka ndier deputeti Ilir Deda.

Fjalën e mori edhe nënkryetari Xhavit Haliti.

Ai ka qenë kritik ndaj kryeministrit e kabinetit qeveritar, të cilët zgjodhën të mos ishin në sallën e seancës plenare.

Ndërkohë, deputetët kanë qenë kritikë edhe për buxhetin që ndahet për Kuvendin. U tha se legjislativi ka buxhet më të vogël sesa Televizioni Publik i Kosovës.