Genci Nimanbegu, deputet i “Shqiptarëve të Vendosur” dhe nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi, ka kritikuar qasjen e policisë malazeze ndaj flamurit kombëtar shqiptar.
Shkas për këtë reagim, Nimanbegu ka marrë nga ndalimi i një qytetari në Ulqin për shkak të valëvitjes së simbolit tonë kombëtar në automjetin e tij personal në Ditën e Flamurit Kombëtar, më 28 nëntor 2018.
Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi këtë incident e ka vlerësuar si “mohim i të drejtës themelore për shprehjen e identitetit kombëtar”.
“Të gjithë kemi përjetuar befasi të pakëndshme dhe dëshpërim me rastin e ndalimit të qytetarit S.V. në Ulqin, për shkak të valëvitjes së simbolit tonë kombëtar në automjetin e tij personal në Ditën e Flamurit Kombëtar, më 28 nëntor 2018. Këtë incident e vlerësoj si mohim i të drejtës themelore për shprehjen e identitetit kombëtar dhe përgjegjësinë nuk e ka thjesht njësia e policisë në Ulqin, por për këtë edhe vet Ministria duhet të japë shpjegime dhe arsyetime të mirëfillta”, ka thënë Nimanbegu, raporton Koha.net.
Në Mal të Zi, thotë deputeti shqiptar, sipas Kushtetutës dhe Ligjit mbi Simbole Kombëtare në fuqi, përdorimi i simboleve kombëtare për qytetarë është i lirë plotësisht.
“Ky veprim hedh një hije të rëndë mbi kompetencën dhe sinqeritetit e pjesëtarëve të MPB për t’i respektuar të drejtat e pakicave autoktone, e në veçanti shqiptarëve, që siç duket janë bërë shënjestër e shpeshtë e kësaj ministrie, gjegjësisht njësive të saj nëpër Komuna. (rasti në Budva para dy viteve, Ulqin dhe Tuz para do kohe). Kjo bëhet edhe më e dyshimtë dhe problematike, pasi që Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve (që në vitin 2011 kur kryetar ishte z. T. Tahiri, por edhe gjatë mandatit tim në vitin 2014) ka njoftuar zyrtarisht MPB se cili është simboli kombëtar i shqiptarëve në Malin e Zi”, thotë Nimanbegu.
Për këtë incident dhe për mosrespektimin e të drejtave të garantuara me Kushtetutën e MZ dhe me Konventa ndërkombëtare, nënkryetari shqiptar i Malit të Zi tha se më 29 nëntor 2018 e ka njoftuar Delegacionin e Këshillit të Evropës (CoE) që gjendet në misionin vëzhgues në Mal të Zi..
Gjithashtu, thotë t’i jetë drejtuar edhe Ministrit Nuhoxhiq me letër proteste, “me të cilën kam kërkuar përgjegjësi për këtë veprim”.
Ndërsa, më 30 nëntor, Nimanbegu thotë se në procedurë në Kuvendin e MZ e ka dorëzuar Ligjin për ndryshimin e Ligjit mbi rendin dhe qetësinë publike, me të cilin do të eliminohet çdo mundësi e vlerësimit subjektiv e nenit 23 të Ligjit nga nëpunësit policorë, dhe do të evitohet qoftë edhe mundësia që individi të merret në pyetje për përdorimin e simboleve kombëtare.
“Incidenti në fjalë është incidenti i radhës i krijuar nga njësia policore në Ulqin, dhe me këtë rast shkarkimi i përgjegjësve është diçka që pres si rezultat të reagimit të Ministrisë”, ka përfunduar nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu.