Arbëri

Thaçi në “Zërin e Amerikës”: Nuk ka marrëveshje me Serbinë pa përcaktimin e kufirit

Thaçi në “Zërin e Amerikës”: Nuk ka marrëveshje me Serbinë pa përcaktimin e kufirit

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është duke vazhduar vizitën zyrtare në Uashington gjatë së cilës u takua me dy zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Trump, këshilltarin për Sigurinë Kombëtare John Bolton dhe Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, presidenti Thaçi tha se arritja e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, që do të çonte në një njohje të ndërsjellë të të dy shteteve si vende sovrane, nuk mund të arrihet pa definimin e kufirit me Serbinë. Sekretari i shtetit Pompeo dhe ambasadori Bolton, në takimet me presidentin Thaçi theksuan se koha është tani që Kosova dhe Serbia të shfrytëzojnë mundësinë që është krijuar për arritjen e një marrëveshjeje historike. Çështja e përcaktimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, e shprehur muaj më parë nga presidenti Thaçi si "korrigjim" kufijsh dhe e interpretuar gjerësisht si shkëmbim territoresh mes dy vendeve, është pritur me kritika të ashpra në Prishtinë. Kryeministri i Kosovës ka dalë hapur kundër presidentit për këtë çështje. Gjatë qëndrimit në Uashington, presidenti Thaçi nuk e përmendi më "korrigjimin e kufijve" ndërsa në intervistën me shefin e shërbimit shqip Arben Xhixho, theksoi se pa përcaktimin e kufirit nuk mund të ketë marrëveshje me Serbinë.