Cilin veprim të Presidentit Thaçi do ta quante tradhti Bekim Jashari

Jashari thotë se Lushtaku nuk duhej të rrinte në Gjermani, por të vinte më herët në Kosovë për luftë

28 November 2018 20:43
21:12

Kryetari aktual i Skenderajt, Bekim Jashari thotë se ish-kryetari i kësaj komune, Sami Lushtaku nuk do të duhej të rrinte 5 vjet në Gjermani, por do të duhej të vinte më herët te shokët që kishin nisur luftën në Kosovë.

Duke folur për përplasjet politike mes tyre, Jashari ka thënë se kjo deklaratë ishte thënë në formë ngacmimi, por ka shtuar se i qëndron prapa fjalëve.

“Ka qenë ngacmim i çastit. Më ka ngacmuar dhe ia kam kthyer. Është dashur të ishte më herët në Kosovë se të vinte në 98-ën. Mund të thotë edhe dikush për mua, por unë nuk jam regjistruar atë kohë si ushtar e as nuk jam veteran. Në shtëpinë tonë është vetëm një e ne askush tjetër s’kemi dashur të shkruhemi si veteranë. Ata që sot janë veteranë e që dje nuk ishte ushtarë... Pesë vjet në Gjermani ishin bukur të mëdha në atë kohë. Ka qenë edhe Ilaz Kodra. Ilazi është kthyer më herët. Ka provuar edhe ky, por sipas informatave ka pasur probleme në kufi. Është kthyer dhe ka vazhduar”, ka thënë Jashari për Lushtakun.

Në Rubikon të KTV-së, Jashari ka thënë se përplasja mes tyre ka nisur pas mospajtimeve për kryesuesen e asamblesë komunale. Ka shtuar se s’kanë asnjë problem privatisht.

21:01

Jasharit nuk i ngutet për të themeluar partinë e tij

Bekim Jashari ka thënë se ka kohë edhe tre vjet për të vendosur për themelimin e partisë së re, kur edhe i përfundon mandati si kryetar i Skenderajt.

Ai në Rubikon të KTV-së tha se ideja për krijimin e partisë do të vijë nëse sheh se ka nevojë që popullit i duhet një alternativë e re.

Ai tha se do të presë deri në fund të mandatit që të shohë se çfarë do të bëjë.

“Anglishten nuk e di, por është një thënie kurrë mos thuaj kurrë”, thotë Jashari i pyetur për themelimin e partisë së re. “Me dëshirë jo, me dëshirë as nuk do të hyj në parti e as nuk do të themeloj parti”.

I pyetur se në mes të hyrjes në ndonjë subjekt të ri dhe krijimit të partisë, ai tha se do të zgjidhte themelimin.

20:58

A u tejkaluan përfundimisht mospajtimet e PDK-së në Skenderaj

Ditë më parë ndodhi një takim mes zyrtarëve të lartë të PDK-së, që së fundmi kanë pasur mospajtime në degën e tyre në Skenderaj. Kadri Veseli si kryetar i partisë ishte takuar me Nuredin Lushtakun e fytyra të tjera të PDK-së, në një takim që në publik doli si pajtues.

Në takim kishte marrë pjesë edhe Bekim Jashari, që u bë kryetar i Skenderajt, si kandidat i pavarur. Në Rubikon të KTV-së tha se nuk dëshiron të flasë se çka solli përplasjen e kësaj dege.

I kritikuar për praninë e tij në këtë takim mes zyrtarëve të një partie, Jashari përsëriti se do të jetë gjithmonë aty ku ka bashkim.

“Është bërë një ribashkim i PDK-së, ka pas një përçarje brenda PDK-së, shpresoj që të funksionojë dhe të ribashkohen. Mu më kanë thënë shumë se pse aty, unë do të jem gjithmonë aty se ku ka bashkim të shqiptarëve, aspak nuk më interesojnë ngjyrat politike”, ka thënë ai teksa ka shtuar se bashkë me Veselin ishin iniciatorë të takimit.

“As njëri, as tjetri nuk mund të tregojnë asnjë histori pa i përmendur emrin njëri-tjetrit sepse kanë qenë gjithmonë bashkë. Unë thashë se nganjëherë edhe vëllai me vëlla kanë mosmarrëveshje. Këto kanë kaluar, nuk dua të hyj andej sepse nuk dua të hapi plagën, nuk dua ta ngacmoj. Dua të besoj që do të ketë bashkim dhe zhvillim të atij vendi”, ka thënë ai.

20:43

Cilin veprim të Presidentit Thaçi do ta quante tradhti Bekim Jashari

Bekim Jashari, aktualisht kryetar i Skenderajt, në Rubikon të KTV-së foli për një marrëveshje të mundshme me Serbinë dhe idenë e përfolur për korrigjim të kufijve.

Ai theksoi se nuk do që të besojë se presidenti i vendit, Hashim Thaçi do të ishte në gjendje që të shkelte mbi gjakun që është derdhur dhe të çonte përpara një marrëveshje të tillë.

“Ai që shkel mbi gjakun që është derdh, ka për ta quajtur jo veç Bekimi por i gjithë populli tradhtar, ajo nuk do diskutim, por nuk dua të besoj duke e analizuar se kush ka qenë Hashim Thaçi para luftës, çka ka bërë gjatë dhe pas luftës”, ka thënë ai. “Dua të besoj që nuk do të bëjë gabime, të qëllimshme, të paktën”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme