AFP: Albin Kurti, rebeli që ëndërron të bëhet kryeministër Foto: AFP

AFP: Albin Kurti, rebeli që ëndërron të bëhet kryeministër

27 November 2018 10:55

Dikur i cilësuar si ‘Che Guevara i Kosovës’, Albin Kurti ka udhëhequr trazira në rrugë, ka hedhur gaz lotsjellës në Parlament dhe ka qenë i burgosur politik.

Sot, Kurti mban kostum të lëmuar dhe e ka ribrenduar veten si social-demokrat teksa ëndërron të bëhet Kryeministër.

Ish-aktivisti studentor u bë i njohur nga rruga, ku organizoi protesta në fund të viteve të ’90-ta kundër Sllobodan Millosheviqit, trupat e të cilit ndërmorën një fushatë të përgjakshme kundër shumicës shqiptare në Kosovë, raporton AFP.

Kurti kaloi dy vjet në një burg serb për aktivizmin e tij.

Njëzet vjet më vonë, ai është politikani kryesor opozitar në Kosovë.

43-vjeçari ka pas vetes turma të mëdha mbështetësish të parisë së tij, Vetëvendosje. Një protestë anti-qeveritare e mbajtur më 29 shtator ishte një nga më të mëdhatë në dekadën e fundit, transmeton Koha.net.

Megjithatë, disa protesta të Vetëvendosjes kanë devijuar në dhunë ku mbështetës të Kurtit ka raste kur kanë hedhur koktej molotovi ndaj Parlamentit dhe kanë rrokullisuar veturat e UNMIK-ut dhe të EULEX-it.

Turma e shtatorit ishte e madhe, por e rregullt, që ndihmoi ripërpunimin e reputacionit të një lideri radikal që shpreson të marrë shkopin nga politikanët që i ka kritikuar për një kohë të gjatë.

“Do të isha i drejtë. As i fortë as i dobët”, tha Kurti për AFP-në, i cili fjalimet e tij i gjallëron me slogane shumë koncize.

Analistët thonë se zgjedhjet e parakohshme është e mundshme të mbahen shpejt në Kosovë, pasi në Parlament ka bllokadë.

Kjo mund të hap rrugë për Kurtin, partia e së cilit fitoi më së shumti ulëse në zgjedhjet e vitit 2017 por “ia hodhi” aleanca e ish-luftëtarëve, i ashtuquajturi “krahu i luftës” që përbën elitën politike të Kosovës.

Por, analisti politik Ramush Tahiri thotë se tentativa e Kurtit për t’u bërë Kryeministër varet nga shkathtësia e tij për të gjetur konsensus me pjesën tjetër të opozitës.

“Nuk mjafton të bartësh kollare, të ndryshosh imazhin e të jesh i pastër nga korrupsioni”, tha Tahiri për AFP-në.

Kurti duhet të “bëhet politikan modern” pa “vija nacionaliste”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme