Arbëri

Me simbolin e kordeles së bardhë dhe ngjyrën portokalli, në përkujtim dhe parandalim të dhunës ndaj grave e vajzave

Fushata e 16 Ditëve të Aktivizmit është fushatë botërore që organizohet çdo vit. Fushata fillon sot, me 25 nëntor, e njohur si Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas dhe përfundon me 10 dhjetor, Ditën e të Drejtave të Njeriut.

Çdo vit përmes kësaj fushate bëhen thirrje për veprime globale për të rritur ndërgjegjësimin në mbarë botën për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave.

“Simboli i fushatës është kordelja e bardhë, ndërsa ngjyra zyrtare e fushatës është portokallia që simbolizon një të ardhme të ndritshme dhe një botë të lirë pa dhunë ndaj grave dhe vajzave”, thuhet në një njoftim nga Agjencia për Barazi Gjinore, transmeton Koha.net.

Zbatimi i ngadaltë dhe i pabarabartë i kuadrit ligjor, vëmendja e pamjaftueshme kushtuar parandalimit të shfaqjes së dhunës si dhe diskriminimi i vazhdueshëm, pabarazia gjinore, normat diskriminuese dhe stereotipet gjinore, mungesa e burimeve te mjaftueshme financiare për zbatimin e politikave dhe kornizave ligjore, thuhet aty, mbeten pengesa kryesore të mëdha për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave.

“Me rastin e shënimit të 25 Nëntorit Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas, Agjencia për Barazi Gjinore, tërheq vëmendjen në domosdoshmërinë e reagimit me kohë dhe sipas përgjegjësive institucionale të gjitha institucioneve shtetërore dhe mbarë shoqërisë, veçanërisht në rastet kur dhuna në familje lajmërohet, identifikohet, apo kur bëhemi dëshmitarë të saj. Është i pajustifikueshëm mosveprimi apo dështimi i institucioneve përgjegjëse për të mbrojtur viktimën(at)”, thuhet tutje.

ABGJ rithekson se duhet të ketë bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet Institucioneve të Republikës së Kosovës, organizatave të shoqërisë civile, mediave dhe i gjithë shoqërisë sepse vetëm me përpjekje të përbashkëta mund t’i japim fund dhunës ndaj grave dhe vajzave dhe për të formësuar një ambient të përgjithshëm, ku dhuna ndaj grave është e papranueshme dhe e pa tolerueshme.

“Dhuna ndaj gruas vazhdon të jetë dukuri shqetësuese në Kosovë, ku çdo vit raportohen rreth njëmijë raste të tilla, por qe ky numër nuk paraqet gjendje reale ne terren. Humbja e jetës së nënave, bashkëshorteve, vajzave, motrave duhet të jetë një alarm për të gjitha institucionet përgjegjëse në vend! Në rastin e dhunës ndaj gruas mekanizmat shtetërorë duhet të garantojnë mbrojtje sociale, ekonomike, shëndetësore dhe psikologjike për viktimat”, thuhet tutje në njoftimin e tyre.

Këtë vit, ABGJ e shënon hapjen fushatës së 16 Ditëve të Aktivizmit me ndriçimin e Ndërtesës së Qeverisë - Zyrës së kryeministrit të Kosovës, me simbolin e kordeles së bardhë dhe ngjyrën portokalli, në përkujtim dhe nderim të viktimave të dhunës, ku për herë të parë do të shfaqen emrat e të gjitha grave që kanë humbur jetën në dy dekadat e fundit.