Gjatë ditës së sotme në media janë bërë raportime se Serbia ka marrë vendim që t’u ndalojë qarkullimin në rrugët e saj mallrave evropiane që kanë për destinacion Kosovën.
Institucionet kosovare nuk kanë pranuar zyrtarisht informatë për këtë veprim të palës serbe.
Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës, ka thënë për KosovaPress se nuk kanë informatë për këtë gjë, duke shtuar se fluksi nga Serbia ka qenë shumë i ulët. Tutje Stavileci ka kujtuar se mallrat nga Evropa për në Kosovë kanë shumë rrugë të tjera për qarkullim, përveç Serbisë.
As në kabinetin e Qeverisë së Ramush Haradinajt nuk kanë pranuar këtë informatë. Kështu ka thënë përmes telefonit për KosovaPress Avni Arifi, këshilltar i kryeministrit.
Sipas Arifit, nëse Serbia ka ndërmarrë këtë veprim, atëherë vetëm se do të shtonte tensionet e krijuara së fundi me rritjen e taksës në 100% nga Qeveria Haradinaj për mallrat serbe.