Arbëri

SHSKUK-ja e ka në plan të ridizajnojë disa klinika për të përdorur shtretërit që s’i zënë dyert

Kreu i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, Basri Sejdiu, ka mbledhur mediet në një konferencë të jashtëzakonshme, për ta sqaruar situatën e blerjes së 735 shtretërve që, fatkeqësisht, dyert e ngushta të klinikave i bëjnë jo funksionalë.

I bindur në atë se institucioni që udhëheq nuk e keqshfrytëzon paranë publike, Sejdiu ka theksuar se të gjithë shtretërit janë në funksion dhe nuk do të mbesin jashtë përdorimit, raporton KTV.

Por, ai nuk ka qenë në gjendje të sqarohet nëse ka qenë në dijeni paraprakisht se dyert e klinikave janë më të ngushta sesa shtretërit.

Basriu ka theksuar se disa klinikave do t’u ndërrohen dyert dhe kjo, sipas tij, do të bëhen pas një donacioni që do ta marrin nga Mbretëria e Luksemburgut, për çka ka thënë se është duke u hartuar një raport i fizibilitetit.

Por, nuk ka specifikuar nëse edhe ashensorët do të modernizohen, pasi shtretërit nuk mund të futen në ta.

Ai ka mohuar faktin se shtretërit nuk janë pranuar nga klinikat, duke u shprehur se institucioni që udhëheq në krye të prioriteteve e ka pacientin.

Në konferencën e SHSKUK-së, gjatë gjithë kohës, ishte i pranishëm edhe Këshilltari i Ministrit të Shëndetësisë, Albatrit Matoshi.

Ministria e Shëndetësisë i ka paguar paratë për shtretërit, ndërsa procedurat i ka udhëhequr Prokurimi i QKUK-së.

KTV-ja raportoi të enjten se 1 milion eurot e shpenzuara në shtretër të blerë sipas standardeve evropiane mund të shkonin kot, pasi shtretërit edhe pse me mekanizëm lëvizës nuk mund të dalin nga dhomat e klinikave, për shkak se gjerësia e tyre është 10 centimetra më e madhe sesa gjerësia e derës.