Arbëri

Policia me aksion në veri - në kërkim të vrasësve të Oliver Ivanoviqit

Dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës të komunitetit serb janë në mesin e 4 të arrestuarve në aksionin në veri.

Policët e arrestuar janë Nedelko Spasojeviq dhe Dragisha Markoviq.

Dy të arrestuarit e tjerë janë Sasha Gjuriq dhe Marko Rashiq, raporton KTV.

Tre dyshohet se mund të kenë lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ndërsa personi i katërt është arrestuar për shkak se ka penguar policinë gjatë këtij aksioni.

Markoviq, ishte arrestuar nga Policia e Kosovës edhe më 11 shkurt të këtij viti, atëherë si i dyshuar për manipulim dhe fshehje të dëshmive nga rasti i vrasjes, por ishte liruar në procedurë të rregullt nga Gjykata Themelore e Mitrovicës.

Jo-zyrtarisht, mësohet se tani ai dyshohet për “ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes”.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, drejtori i Departamentit për Hetime, Riza Shillova, ka folur për aksionin në veri të Kosovës.

Po ashtu, gjatë aksionit në veri, është bastisur edhe shtëpia e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojçiq. Mirëpo, për këtë të fundit, policia nuk ka dhënë detaje.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha, ka thënë se aksioni është rezultat i shterjes së të gjitha mënyrave tjera për të arritur te të dhënat faktike.

Ai ka mohuar që aksioni ka ndonjë lidhje me taksën e vendosur nga Qeveria për produktet e Serbisë.

Për epilogun e këtij rasti, Hoxha ka thënë se qytetarët do të njoftohen me kohë.

Ai ka deklaruar se Prokuroria ka prova për t’i ndaluar edhe dy persona, të cilët kanë ndihmuar në vrasjen e Ivanoviqit.

Oliver Ivanoviqi është vrarë më 16 janar të këtij viti. Jo larg nga vendi i ngjarjes, ishte gjetur një makinë e djegur e tipit “Opel Astra”, me të cilën supozohej se vrasësi ishte larguar dhe më pas ia kishte vënë zjarrin asaj, për t’i mbuluar gjurmët.