Arbëri

Belgjika mbështet Kosovën për integrimet evropiane

Kryetarja e Senatit të Belgjikës, Christine Defraigne, ka ofruar mbështetjen për Kosovën në rrugën e integrimit evropian, sipas një njoftimi nga Kuvendi i Kosovës.

Defraigne në një takim me kryeparlamentarin e Kosovës, Kadri Veseli, sipas njoftimit, i ka ofruar mbështetjen Kosovës në angazhimin dhe punën për përmbushjen e reformave të nevojshme në rrugën e integrimit evropian dhe për zhvillim më të madh ekonomik.

“Ajo konfirmoi mbështetjen e shtetit të saj për Kosovën në të gjitha proceset që lidhen me të ardhmen euro-atlantike dhe të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të saj. Të dy homologët u pajtuan se bashkëpunimi i shkëlqyer midis Kosovës dhe Belgjikës mund të avancohet më tej, sidomos në rrafshin ekonomik”, thuhet në njoftim të Kuvendit.

Në anën tjetër, në komunikatë theksohet se Veseli ka shprehur nevojën e përkrahjes së shteteve mike për t’i dhënë liberalizimit të vizave epilog pozitiv dhe të shumëpritur nga qytetarët e Kosovës, brenda këtij viti.

“Mbretëria e Belgjikës e mbështetë Kosovën në të gjitha proceset integruese dhe në procesin e liberalizimit të vizave. Në takim me kryetaren e Senatit e njoftova atë se Kosova po vazhdon rrugën e saj drejt integrimeve evropiane dhe në rrafshin e brendshëm po bën reformat e nevojshme për zhvillim ekonomik”, ka theksuar Veseli.