Ministri Shala e quan të paligjshme ngritjen e çmimit të bukës Foto: Koha

Ministri Shala e quan të paligjshme ngritjen e çmimit të bukës

20 November 2018 11:59

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, e ka quajtur si jo të ligjshme dhe të panevojshme ngritjen e çmimit të miellit dhe bukës pas taksës prej 10 për qind ndaj importit të produkteve serbe dhe ato nga Bosnja.

Shala gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, lidhur me realizimin e planit të punës së këtij viti dhe planifikimet për vitin e ardhshëm, ka thënë se nuk ka arsye për rritje të çmimeve të produkteve.

Ai ka shtuar se kjo ngritje është koordinuar nga disa shoqëri tregtare në disa komuna.

“Në të dhënat që i kemi, Kosova tash mbulon 80 për qind nevojat e saj me grurë, por përkundër kësaj, mundësia që ta kontrollojmë këtë ngritje jo të ligjshme apo jo të nevojshme të çmimit te miellit, bukës, kam kërkuar nga Autoriteti i Konkurrencës ta bëjë mandatin e vet. S’ka arsye për rritje të çmimit, kjo është e koordinuar nga disa shoqëri tregtare, kryesisht në Prizren dhe Kaçanik”, ka thënë Shala, raporton KTV.

Deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka pyetur Ministrin se a kanë ndonjë analizë pse është ngritur çmimi i bukës dhe me çfarë instrumenti po kontrollojnë produktet që vijnë nga Serbia, por ministri Shala nuk është përgjigjur.

Deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu, ka mirëpritur vendosjen e taksës prej 10 për qind ndaj për importin e produkteve nga Serbia dhe BeH, por ka thënë se për të respektuar reciprocitetin është e pamjaftueshme.

“Duhet ta trajtojmë tregtinë me jashtë, të sillemi në mënyrë reciproke. Taksa prej 10 për qind është hap i mirë, por i pamjaftueshëm dhe duhet të shkohet përpara. Kryefjala e punës suaj duhet të lidhet në kodifikimin e tregtisë së brendshme dhe të jashtme”, ka thënë Sejdiu.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e ka vlerësuar si të mangët raportin e ministrit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Buka Bread21/11/2018 13:12

Kta i qesin taksë mallrave të Serbisë 10 %, e tregëtarët (tradhtarët) na e qesin neve taksën 30 %. Masi spo funksionon shteti bani qa të doni....

Shto koment

Të ngjashme