Pacolli optimist se Kosova do të anëtarësohet në INTERPOL Foto: Ilustrim

Pacolli optimist se Kosova do të anëtarësohet në INTERPOL

19 November 2018 15:32

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, është shprehur optimist se që nga nesër Kosova do të jetë pjesë e organizatës INTERPOL.

“Na ndajnë vetëm disa orë deri te momenti i rëndësishëm për ne. Momentin kur do të dihet a do të jetë Kosova anëtare e Interpolit apo ajo. Unë besoj se po. Për arsye se vota pro është një votë e merituar. Kosova, si shtet që është duke u konsoliduar çdo ditë dhe të qenurit në organizatën e Interpolit, është jashtëzakonisht me rëndësi për të. Dhe konsideroj se është eventi ndoshta më i rëndësishëm pas shpalljes së Pavarësisë”, ka thënë Pacolli në një konferencë në Dubai.

Deri tani, sipas tij, çdo gjë që është bërë këtë vit pothuajse ia kanë dedikuar punës përgatitore për këtë event.

“Deri sot, besoj se ka shkuar çdo gjë sipas planit dhe ne kemi informata se Kosova është në një pozicion shumë të mirë dhe shpresoj se nuk do të kemi ndonjë befasi negative dhe Kosova nesër që nga ora 11, sipas kohës lokale, do të jetë anëtare e Interpolit. E di se shumë shtete do të votojnë pro, shumë shtete kanë premtuar votën. Megjithatë, votimi është i fshehtë. Nuk e di a do ta mbajnë fjalën të gjithë dhe duke e konsideruar një margjinë të vogël që nuk e mbajnë fjalën, konsideroj se Kosova do të ketë vota të mjaftueshme që të kalojë këtë kompetecion”, ka thënë Pacolli, transmeton Koha.net.

Kosova, thotë ai, si anëtare e Interpolit do të jetë pjesë e sistemit të sigurisë në rrafshin ndërkombëtar.

“Në këtë kontest ne do të kemi shumë më lehtë të luftojmë krimin, terrorizmin dhe çdo dukuri negative të shoqërisë dhe çdo gjë që është e ndaluar me ligj”, tha ai.

Pacolli i është përgjigjur edhe fushatës së Serbisë që Kosova mos të anëtarësohet në këtë organizatë.

“Nuk dua të hyjë në punët e të tjerëve. Sigurisht, ata kanë planet e veta, kanë strategjinë e vetë por një e di, se ne jemi duke bërë një punë konstruktive kurse ata janë duke e shkatërruar. E di se këtu, jo vetëm njerëzit por edhe Perëndia ndihmon nëse puna është konstruktive dhe shkon në dobi të të tjerëve. Unë jam i qetë dhe besoj se gjithmonë drejtësia është ajo që fiton dhe Kosova me të drejtë do të fitojë këtë kompeticion dhe do të jetë një anëtare e merituar e Interpolit. Kemi një Polici të mrekullueshme, kemi njerëz të mrekullueshëm të cilët do ta kryejnë këtë punë me shumë profesionalizëm dhe përgjegjësi”, tha ai.

Pacolli ka folur edhe për faktin se çka nëse Kosova s’mund të anëtarësohet në INTERPOL.

“Do të thoja se me kaq të ndalemi këtu. Nuk dua të mendoj se nuk do ta kalojmë këtë kompeticion. Unë qe një vit e këndej, çdo gjë ia kam kushtuar këtij eventi dhe do të presë deri nesër dhe jam i bindur për rezultate të mira. Nuk dua të flas për një gjë të tillë, për një humbje ose për një disfatë sepse Kosova vërtetë nuk e meriton atë”, tha ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme