Kurti: Haradinaj i frikësohet Thaçit, e di se ai ia rrezikon karrigen e kryeministrit Foto: Koha / ilustrim

Kurti: Haradinaj i frikësohet Thaçit, e di se ai ia rrezikon karrigen e kryeministrit

18 nëntor 2018 11:16

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se dialogimit që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po e bën në Bruksel me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, është i kotë sepse, sipas tij, ai është i vetmuar dhe nuk e ka përkrahjen e popullit.

Kurti, në një intervistë për mediumin serb “Istinomer”, ka folur për shumë tema, ndërsa për çështjen e dialogut ka thënë se Thaçi e ka humbur edhe kredibilitetin e edhe autoritetin.

“Thaçi kot negocion me Vuçiqin, sepse ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë në llogarinë tonë. Ai është i vetmuar, nuk e ka përkrahjen e popullit, sikur që nuk e ka as mandatin e Kuvendit për çfarëdo negociatash. Thaçi e ka humbur edhe kredibilitetin edhe autoritetin”, thotë Kurti.

“Kancelarja Merkel në disa raste ka theksuar se Gjermania nuk e përkrahë ndërrimin e kufijve, e qëndrim të ngjashëm kanë edhe qeveria britanike dhe ajo franceze. Fjala është për shtete kyçe të BE-së që e kanë njohur Kosovën në kufijtë ekzistues. Duetin Thaçi-Vuçiq eventualisht e përkrahin qarqe të caktuara të së djathtës ekstreme”, thotë në intervistën për “Istinomer”, Albin Kurti, kryetar i Vetëvendosjes.

Ai vlerëson se ideja e delimitimit mund të duket tërheqëse për disa rryma brenda BE-së, sepse Serbia duhet ta përmbushë artikullin 35 në negociatat për anëtarësim, që nënkupton definimin e territorit dhe të kufijve, mirëpo që Kosova nuk mund të heqë dorë nga territori i saj dhe nga interesat e saj jetike për shkak të Serbisë.

Përkujton që Serbia duhet ta njohë Kosovën, kurse në anën tjetër BE duhet që, për shkak të ruajtjes së paqes në tërë rajonin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor, t’i anëtarësojë të gjitha vendet së bashku.

Intervista e plotë:

Istinomer: Si i komentoni ngjarjet më të reja në lidhje me negociatat e Kosovës me Serbinë - nga njëra anë vënien e doganës për mallrat nga Serbia, kurse në anën tjetër paralajmërimin e Vuçiqit që nuk do t’i vazhdojë negociatat deri sa Prishtina nuk e tërheq, siç ka thënë aktin kundërjuridik?

Kurti: Serbia na do neve, qytetarëve të Kosovës, si konsumatorë të mallrave të saj, derisa prodhuesit tanë praktikisht nuk kanë shans të eksportojnë në Serbi. Qëndrimi ynë është për reciprocitet të plotë me Serbinë. Reciprociteti në marrëdhënie është parimi real. Negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë i duhen më shumë Vuçiqit sesa neve.

Istinomer: A mund të kuptohet takimi i Thaçit me Putinin si një hap diplomatik i Kosovës, përkatësisht a është e mundur marrëveshja me Beogradin pa pajtimin e Rusisë?

Kurti: Kur është fjala për Kosovën, takimi i Thaçit me Putinin ka kuptim, ashtu siç kam thënë, vetëm nëse ai negocion për azilin politik personal në Federatën Ruse. Përndryshe Putini e urren Evropën dhe idhulli i tij është Stalini. Është e ditur që Rusia i financon rrymat neofashiste në truallin e Bashkimit Evropian.

Istinomer: Disa herë e keni komentuar se ndikimi i Rusisë në Ballkan vjen nëpërmjet Serbisë. Në këtë kontekst keni thënë se Serbia e do bosnjëzimin e Kosovës, kurse Moska rusizimin e Bosnjës. Çka konkretisht nënkuptoni me këtë?

Kurti: Bosnjëzimi i Kosovës do të ndodhte me formimin e etnitetit serb në Kosovë, sikur projekti i ‘Zajednicës’, e cila do të kishte ingerencat e veta autonome dhe organet ekzekutive. Kjo do të ishte një lloj Republike Serbe në Kosovë, gjegjësisht shtet brenda republikës, e cila në atë rast do t’i humbte të drejtat e shtetit të centralizuar. Në B&H është situatë e ngjashme, ku e keni republikën brenda shtetit, të cilit i është pamundësuar republika (si rend). Rusizimi i Bosnjës dmth. ndikim i drejtpërdrejtë i Rusisë me anë të financimit dhe krijimit të lidhjeve direkte politike të Republikës Serbe me Moskën, e cila është edhe investuesi më i madh në RS. P.sh. Lista Serbe menjëherë pas hyrjes në Qeverinë e Kosovës ka shkuar në vizitën e parë jashtë vendit në Moskë. Satelitët e Serbisë në Ballkan, me kohë bëhen edhe satelitë rusë.

Istinomer: Çka prisni nga SHBA-ja, mikut tradicional të Kosovës? Shtypi kosovar shkruan se Trump dhe Putin janë marrë vesh rreth ndarjes së Kosovës dhe që Kosova duhet të jetë e gatshme të gëlltisë pilula të dhimbshme. Sipas jush cila është përbërja e këtyre pilulave?

Kurti: Në SHBA thonë që për ta nuk ka vija të kuqe kur është fjala për përmbajtjen e negociatave, mirëpo kjo nuk do të thotë që amerikanët do të pranojnë çfarëdo rezultati të këtyre negociatave. Cili është qëllimi i hyrjes në një proces, përfundimi i të cilit (me gjasë) nuk do të pranohet! Mendoj që qëndrimi i SHBA-së në esencë nuk ka ndërruar, veçse po i testojnë këta dy presidentë. Çështja është se Kosova duhet t’i bind partnerët e saj strategjikë se ndërrimi i kufijve nuk është zgjidhje dhe se veriu i Kosovës është edhe ekonomikisht edhe strategjikisht jetik për ne. SHBA-ja është partneri ynë strategjik, por nuk mund të bëjnë ata më shumë për ne sesa ne bëjmë për vete.

Istinomer: Edhe pse Kosova është në rend dite të KS të OKB-së, po duket që nuk është në listën e prioriteteve në planin global?

Kurti: Kosova nuk është më problem urgjent dhe i jashtëzakonshëm. Mirëpo, Kosova ka shumë probleme. Njëri ndër më të mëdhenjtë është që Serbia po e mohon pavarësinë e Kosovës dhe po mundohet ta bllokojë funksionalitetin e saj në planin ndërkombëtar nëpërmjet pengimit të njohjeve të reja dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Nuk e kam përshtypjen që në KS të OKB-së, ku na përfaqëson UNMIK-u, po adresohen problemet tona. E vetmja gjë e mirë është se aty shihen interesat e vendeve të ndryshme dhe arroganca e Serbisë.

Istinomer: Shpesh deklaroni se Vuçiq dhe Thaçi në fakt janë marrë vesh që më parë, por edhe në darkat sekrete në Paris e New York që kanë ndodhur këtë vit, bile edhe që kanë inskenuar trazira në veri të Kosovës. Mbi çfarë baze e thoni këtë?

Kurti: Kemi shikuar mjaftueshëm kiç filma të shkurtër në këto dy vitet e fundit, në produksionin e përbashkët të tyre. Ata dy e ndihmojnë njëri-tjetrin para opinioneve publike të veta. Shembuj janë treni ruso-serb që u nis për Kosovë dhe ndaloi, arrestimi spektakular i Marko Gjuriqit, vizita në liqenin e Ujmanit... Mirëpo, krejt kjo nuk do të thotë që Vuçiqi dhe Thaçi kanë marrëveshje të qartë që do të pasojë në fund. Ata janë plotësisht të harmonizuar kur është fjala për mënyrën autoritare në të cilën i udhëheqin shtetet e veta, mirëpo nuk i kanë harmonizuar marrëdhëniet e jashtme të shteteve tona në mes vete. Kanë kontakte dhe marrëveshje të përjavshme, por ato janë në funksion të pushtetit të tyre e jo të qytetarëve të të dy shteteve. Mendoj që me kohë kanë filluar t’i ngjajnë njëri-tjetrit, por kjo nuk do të thotë që janë marrë vesh për zgjidhje. Ngjashmëria e ndërsjellë nuk është marrëveshje.

Istinomer: Si e vlerësoni situatën në veri të Kosovës, a do të thoshit që është një vend i qetë dhe i sigurt e pa probleme?

Kurti: Normalisht që jo. Larg asaj. Veriu i Kosovës është shndërruar në mishërim të paligjësisë. Ajo pjesë nuk është nën kontrollin e pushtetit të Kosovës, por atje qeverisin strukturat paralele, të cilat janë nën kontrollin e Serbisë. Në veri veprojnë kriminelët sikur bandat e Veselinoviqit dhe Radojçiqit, nëpërmjet të cilëve pushteti serb ndëshkon çdo padëgjueshmëri të serbëve lokalë, derisa pushteti kosovar negocion me ta për hapat e Listës Serbe, e cila është në koalicionin qeverisës në Kosovë.

Istinomer: Sa e dinë qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë se për çka në të vërtetë është arritur marrëveshje në Bruksel për çka po negociohet?

Kurti: Gjatë dialogut gjashtëvjeçar në mes të Kosovës dhe Serbisë (2011-2017), i fituam 33 marrëveshje. Disa janë zbatuar pjesërisht, të tjerat fare nuk respektohen, gjersa disa aplikohen por pa ndonjë ndikim konkret. Të gjitha këto marrëveshje do t’i shqyrtojmë së shpejti në Kuvendin e Kosovës, në bazë të raportit 38 faqësh, të cilin e ka përpiluar Qeveria e Kosovës. Kur është fjala për marrëdhëniet zyrtare në mes të Kosovës dhe Serbisë këto marrëdhënie ekzistojnë në Bruksel, i cili ndërmjetëson me to. Esenca është se për detajet e këtyre bisedimeve shumë pak dihet. Për këtë nuk dinë as deputetët në Kuvendin e Kosovës, e as opinioni publik. Në fakt, në masë të madhe informatat nga Brukseli kufizohen në spekulime, qëllimi i të cilave është që ta heqin vëmendjen nga problemet socio-ekonomike dhe ta lodhin popullin.

Istinomer: Nga deklaratat e Ramush Haradinajt duket se edhe vet kryeministri nuk është i informuar me negociatat, ose së paku nuk ka qëndrim të njëjtë me Presidentin e Kosovës. Si është e mundur që Presidenti dhe Kryeministri kanë pikëpamje të ndryshme të zgjidhjes? Dhe, pse Haradinaj është, siç keni thënë, i marrë “me qira”?

Kurti: Qeveria e Kryeministrit Haradinaj është qeveri e dobët e pakicës, kurse vet Haradinaj është kryeministër i marrë “me qira” si ushtrues i kësaj detyre nga ana e Hashim Thaçit. Numri i partive në qeveri është dy herë më i madh se sa numri i deputetëve të partisë së kryeministrit. Ai në zgjedhje i ka fituar vetëm 10 deputetë në Kuvend, ndërsa pjesëmarrjen e Listës Sebe në koalicionin qeveritar e ka siguruar duke negociuar me Radojçiqin, kriminelin i cili vepron në veri të Kosovës. Fakti që Qeveria Haradinaj varet nga votat e Partisë Demokratike të Kosovës dhe nga votat e Listës Serbe, do të thotë që është e varur nga Thaçi dhe Vuçiqi. Kosova e pavarur kurrë nuk ka pasur qeveri më të varur.

Istinomer: A do të mund të bashkëpunonit me Haradinajn, së paku për temën e delimitimit të kufijve, duke e pasur parasysh se së paku për këtë çështje qëndrimet iu përshtaten?

Kurti: Vështirë, sepse ai i frikësohet Thaçit, i cili mund t’ia rrëzojë qeverinë dhe në të njëjtën kohë e ka të qartë që kurrë më nuk do të mund ta marrë karrigen e kryeministrit. Në gjithë karrierën e tij, Thaçi sot është në nivelin më të ulët, kur është fjala për përkrahjen qytetare, për çka flasin matjet në opinionin publik. Është paradoksale, mirëpo pika më e fortë e këtij presidenti të dobët është pikërisht kryeministri i dobët. Shërbimi më i madh që Haradinaj sot mund t’i bëj vendit është të dalë nga koalicioni qeveritar, me çka do të shkaktonte zgjedhje të reja. Një akt i tillë do ta delegjitimonte komplet Thaçin, i cili përveç asaj që është i korruptuar, në të njëjtën kohë është i shantazhuar. Në këtë kuptim ai ka hall fatin e tij, jo fatin e Kosovës.

Istinomer: Mirëpo, edhe ju përfaqësoni standarde të dyfishta. Jeni kundër ndërrimit të kufijve me Serbinë, por të hapur për ndërrim të kufijve me Shqipërinë. Pse është Shqipëria e Madhe në rregull, derisa veriu i Kosovës në Serbi nuk është. Edhe njëra edhe tjetra nënkuptojnë ndërrim kufijsh?

Kurti: Unë thërras për të të drejtën për vetëvendosje të popullit në Kosovë, me të cilën me anë të referendumit populli do të shprehej për fatin e vendit. Vetëvendosja si parim u jep të drejtë shteteve të bashkohen, apo të hyjnë në konfederata ose federata. Në rastin e Kosovës dhe Shqipërisë, një akt i tillë do të realizohej me rezultatin pozitiv të referendumit të popullit në të dy vendet, si mjet demokratik. Një union i tillë do të ishte garant i paqes dhe i stabilitetit në rajon. Në anën tjetër, veriu i Kosovës nuk është shtet. Ai është pjesë e Kosovës ku janë koncentruar strukturat paralele, të cilat kanë bërë spastrim etnik, në mënyrë që ilegalisht të bllokojnë funksionimin e shtetit në atë pjesë. Vetëvendosja i përket popujve e jo territoreve. Dhe, vetëvendosja duhet të ketë karakter çlirimtar. Në fund të fundit, serbëve në veri të Ibrit edhe ashtu iu duhet çlirim nga Serbia e jo nga Kosova. Në këtë kontekst e parashtroj edhe pyetjen - kush e vrau Oliver Ivanoviqin në veri të Mitrovicës?

Istinomer: Përgjigjen në këtë pyetje gjithsesi se të gjithë e presin, si në Kosovë, po ashtu edhe në Serbi. Kur është fjala për serbët në Kosovë nuk jam e sigurt se do të pajtoheshin me propozimin tuaj për bashkim me Shqipërinë. Mirëpo, të kthehemi te negociatat. Sikur të ishit ju në pozitë të udhëhiqni me ekipin negociator? Përkujtojmë që pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, konsideroheshit si negociatori kryesor. Me kë dhe me çfarë kushtesh do të negocionit?

Kurti: Ne si Lëvizje Vetëvendosje kemi definuar katër hapa të cilët duhet kaluar para fillimit të negociatave me Serbinë. I pari, Kuvendi i Kosovës do të duhej të shqyrtonte dialogun e vjetër nga viti 2011 deri më 2017 dhe të shihet se çka është fituar nga ai dialog, çfarë kanë qenë marrëveshjet, sa nga kjo është implementuar dhe e gjithë kjo a ka ndikuar në jetën më të mirë të qytetarëve. I dyti, le të orientohemi në atë se çka në të vërtetë ne duam dhe këtë ta shndërrojmë në kërkesa të cilat do t’i paraqiteshin Serbisë, edhe ajo me siguri do të bënte kërkesa për ne. Thjesht, na duhet seriozitet dhe sinqeritet që procesi të jetë i drejtë dhe të çojë kah zgjidhja afatgjate. I treti, duhet ta krijojmë platformën me parime në procesin negociator. Ta dini, unë jam kundër çfarëdo skenari të gatshëm, ku ne jemi vetëm aktorë mekanikë me të cilët udhëheq një regjisor i ashpër. Rezultati i negociatave nuk do të mund të dihet paraprakisht, ai duhet të jetë pasojë e negocimit mbi parime të caktuara. Dhe, i katërti, Kosovës i duhet një ekip negociator me lider kredibil dhe me strategji përkatëse. Dy hapat e parë është e mundur të bëhen edhe para zgjedhjeve, kurse dy të fundit vetëm pas zgjedhjeve të reja, pas formimit të pushtetit të ri me legjitimitet të ri.

Istinomer: Nga zgjedhjet në 2017 i keni humbur 12 deputetë të cilët dolën nga Vetëvendosje dhe e formuan grupin e tyre parlamentar. Para ca kohe iu braktisi edhe Kryetari i qytetit të Prishtinës, Shpend Ahmeti. Si mendoni që për qëndrimet e juaja t’i përfitoni edhe deputetët por edhe qytetarët, kur partinë ua braktisin deputetët?

Kurti: Populli na i dha 32 mandate deputetësh në bazë të programit dhe qëndrimeve që i kemi paraqitur para opinionit. Mirëpo, dikush na i rrëmbeu 12 mandate, sepse suksesi i Lëvizjes sonë në zgjedhjet e kaluara iu ka penguar shumë qarqeve të caktuara. Me rrëmbimin e deputetëve po mundohen të na dobësojnë dhe të na lëndojnë. Në një kuptim, pak na kanë penguar, sepse tani jemi në një situatë që numrin e madh të votuesve ta përfaqësojmë me më pak deputetë, mirëpo, në të njëjtën kohë, një numër i madh i njerëzve po anëtarësohet në Vetëvendosje dhe kjo tregon se jemi në rrugën e drejtë dhe se në zgjedhjet e reja do të jemi edhe më të suksesshëm. Deputetët që na braktisën ja morën vetes legjitimitetin, sepse sipas anketave nuk kanë më shumë se 2% përkrahje.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme