Arbëri

Fajtori i aksidentit të djeshëm me 4 viktima ende nuk dihet

Shumë miq e të afërm kanë vizituar familjen Shala, e cila humbi katër anëtarë të familjes në aksidentin e djeshëm që ndodhi në magjistralen Prishtinë – Gjilan afër fshatit Mramor.

Agron Shala, 22 vjeç, Osman Shala 65 vjeç , Arife Shala 88 vjeçe dhe Elfete Rashiti 65 vjeçe, janë viktimat e aksidentit, raporton KTV.

Megjithatë, familja hedh dyshime se fajtor për aksidentit të ketë qenë eskorta e ambasadores.

Ndërkaq, prokuroria e thotë të kundërtën.

Imer Beka, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, thotë se Prokurori i rastit e ka angazhuar një ekspert të komunikacionit ndërsa sot pritet të dalë ekspertiza e cila do t’i sqarojë shkaqet.

“Deri më tash, dyshimet janë se përqindja më e madhe e fajit është e shoferit nga vetura e së cilës janë viktimat”, ka thënë Beka.

Në vizitë te familja Shala në Ponesh të Gjilanit, ka qenë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ku ka thënë se do t’i dalë në ndihmë financiare familjes.

Elfete Rashiti, e aksidentuar mbrëmë në Mramor, është varrosur të shtunën në varrezat e qytetit të Gjilanit. Ndërsa Agron Shala, Osman Shala, Arife Shala do të varrosen të dielën në orën 12:00.

Në këtë aksident ka qenë e përfshirë edhe ambasadorja turke Kivlicim Kiliç, e cila ka marrë lëndime dhe deri në orët e pasdites së të shtunës, është trajtuar në QKUK.

Ajo më pas, është transferuar në Turqi me aeroplan ambulant special.

Sigurimi i ambasadës turke ka tentuar të ndalojë ekipin e KTV-së të xhirojë transferimin e saj, duke kërcënuar se do t’ua marrë edhe kamerën.