Peci: Rusia s’do zgjidhje që sjell paqe në rajon, por aso që i shkakton probleme perëndimit

Një “Konferencë e Rambujesë” për dialogun, fitues Thaçi dhe humbëse Kosova

15 November 2018 20:15
20:47

Një skenar i cili nuk është përjashtuar së fundmi nga presidenti i vendit Hashim Thaci është vazhdimi i procesit të dialogut përmes një konference, njëjtë si ajo e Rambujesë, e cila do të mund të shënonte përfundimin e dialogut.

Ish-diplomati Lulzim Peci në Rubikon të KTV-së ka thënë se nuk e përjashton një mundësi të tillë.

Ndonëse, ky skenar do të ishte me fatalitet për Kosovën mirëpo triumfues personalisht për presidentin Thaci.

"Është varianti më i mirë i Thaçit për t’u faktorizuar sepse nëse vazhdohet me konferenca të tilla ato kryhen shpejtë dhe bëhen obligative për krejt. Për të personalisht është opsioni më i mirë për të arritur atë që e ka ndërmend. Nuk mund ta hedh jashtë si opsion", ka thënë Peci duke theksuar se në një situatë të tillë Kosova është humbëse.

"Ka mu bë një vend invalid i cili nuk do të jetë në gjendje që të ketë as zhvillim ekonomik as kurrgjë”.

20:42

Hapja e temës së ndryshimit të kufijve me dëme të mëdha në diplomaci

Image

Në emër të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi ka hapur çështjen e kufijve të Kosovës, duke i shkaktuar kështu dëme të cilat do t'i ndjejnë edhe shumë gjenerata të ardhshme.

Sipas kryeredaktorit të Kohës Ditore, Agron Bajrami, kjo u jep të drejtë shteteve të cilat nuk e kanë njohur shtetësisë e Kosovës që të thonë se po presin derisa të përfundojë ky proces.

“Kjo është pasoja e parë dhe po e shohim sepse po shohim që brenda vitit janë tërhequr pothuajse 10 njohje dhe vetëm 1 në vitin e kaluar është arritur dhe kjo na jep të presim ndoshta në formë edhe më dramatike në të ardhmen”.

20:28

Rusia nuk mund të ketë qasje pozitive karshi dialogut që po zhvillohet në Bruksel, thotë Bajrami

Rusia nuk mund të ketë qasje pozitive karshi dialogut që po zhvillohet në Bruksel, meqë, sipas Agron Bajramit, kryeredaktor në të përditshmen Koha Ditore, një qëndrim konkret i tyre u pa ditë më parë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Ai në Rubikon të KTV-së e ka vlerësuar si zhvillim negativ lejimin e palës kosovare për përfshirje të Rusisë në proces.

“Ne lejojmë që Rusia të përfshihet në procesion e dialogut i cili deri tash ka qenë i mbyllur për ndikime të tilla të cilat duan ta shfrytëzojnë procesin për qëllime tjera”, ka thënë ai.

“Nuk ishte një takim i aranzhuar në mes të dy presidentëve të cilët kanë marrëdhënie bilaterale... Ata janë kundër çdo aspekti të ndërtimit dhe avancimit të shtetësisë së Kosovës, vërtetë duan ta shfrytëzojnë momentin për arsye tjera”, ka shtuar më tej.

Parlamentarët e Kosovës, sipas ish diplomatit Lulzim Peci, nuk ishin në gjendje të arrinin një konsensus rreth një platforme për dialogun me Serbinë, gjë për të cilët, thotë ai, tash është vonë.

Sipas tij, kanë ndodhur mjaftueshëm zhvillime në mënyrë që të ketë sens hartimi i një platforme.

Madje, ai godet me tone të ashpra politikanët kosovar, duke vlerësuar se interesin shtetëror nuk e kanë as në plan të dytë.

“Politika e Kosovës nuk ka vetëdije shtetërore. Tek ne i pari send është interesi personal, pas interesit personal vjen interesi partiak e interesi shtetëror, nëse koincidon me këto dyja atëherë jemi në rregull”, ka thënë ai.

20:25

Kryeziu: Nëse takimi Thaçi – Putin është bërë pa bekimin e SHBA-së, është problem

Image

Për këtë takim, opinionistja Laura Kryeziu, ka thënë se nuk do të ishte i realizueshëm pa bekimin e Shteteve të Bashkuara.

“Nuk do të mund të ndodhte pa bekimin e Shteteve të Bashkuara, nëse ka ndodh pa njohurinë e tyre atëherë është problem. Po ashtu edhe për idenë e presidentit Thaci, mendoj se është në koordinim me fuqitë që sapo i përmenda dhe nuk besoj që është ide vetanake”, ka thënë ajo.

20:15

Peci: Rusia s’do zgjidhje që sjell paqe në rajon, por aso që i shkakton probleme perëndimit

Image

Hapja e temës së territorit në dialogun Kosovë – Serbi i ka hapur një udhë të re politikës së jashtme kosovare.

Kjo shënohet me takimin e presidentit së Kosovës, Hashim Thaçi me presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin.

Kjo sipas ish-diplomatit, Lulzim Peci, është lehtë e dallueshme meqë një takim i tillë nuk mund të ndodhte një vit më parë por vetëm në këtë momentum kur në tavolinë po servohet edhe korrigjimi i kufijve.

Sipas tij, takimi patjetër që ishte i aranzhuar meqë ndryshe do të mund vetëm t’i shtrëngonin duart por jo edhe të zhvillonin bisedë.

“Mendoj që kjo nuk do të mund të ndodhte pa një aranzhim të mëhershëm, kush, nuk e di. Shans nuk do të kishte aq që t’ia zgjaste dorën Putinit”, ka thënë Peci. 

“Meqenëse është hap kjo temë mendoj se është moment shumë i volitshëm për Rusinë t’i hapë derë ndikimit të vet në këtë proces sepse duhet të kemi parasysh se Rusia nuk do të ketë interes për zgjidhje e cila bie paqe dhe stabilitet në rajon, por interesi i saj është të nxjerrë probleme për Perëndimin dhe të rrisë ndikimin e Rusisë në Ballkan. Nuk shoh racio në politikën e jashtme ruse që të tërhiqet gjeopolitikisht nga Ballkani duke u bërë partner konstruktiv në këtë fazë të marrëdhënieve ndërkombëtare”, ka shtuar ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme