4 perditesime
22:42

Britania e Madhe mbështet anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, kërkon përparim në dialog

Ambasadorja e Britanisë së Madhe, Karen Pierce, në fjalimin e saj mbajtur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ka thënë se duhet përparim më i madh dhe më i shpejtë në dialogun në mes Prishtinës dhe Beogradit.

Të gjitha propozimet, sipas saj duhet të orientohen në rritjen e stabilitetit në rajon dhe në sigurinë e qytetarëve. Ajo ka shtuar se popujt e Kosovës dhe të Serbisë kanë zgjedhur liderët e tyre për t’i përfaqësuar interesat e tyre në mënyrën më të mirë. Londra, sipas saj, edhe e pret këtë, transmeton Koha.net.

Pierce ka konfirmuar edhe mbështetjen e Britanisë së Madhe për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL. Ka ftuar vendet e tjera që ta përkrahin këtë anëtarësim, duke thënë se Policia e Kosovës është shembull pozitiv i përparimit, që nga viti 1999 e deri më tash.

Diplomatja britanike përgëzoi UNMIK-un për rolin që ka pasur në Kosovë, por konfirmoi se Londra zyrtare mbështet reduktimin e këtij misioni dhe të sesioneve në Këshillin e Sigurimit.

21:45

SHBA-ja në KS të OKB-së: Mbështesim Ushtrinë dhe anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL

Image

Ambasadori i SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Jonathan Cohen, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në New York, ka përshëndetur liderët e Kosovës dhe të Serbisë për shfaqjen e përkushtimit për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Cohen tha se shpreson që dialogu për normalizim të vazhdojë dhe të intensifikohet dhe kërkoi nga të dyja palët që të mos përfshihen në ndonjë përpjekje që do të rrezikonte legjitimitetin, përfshirë edhe njohjet diplomatike, nga pala tjetër.

“Kjo gjë s’ka vend në një përkushtim të vërtetë për normalizim”, theksoi Ambasadori Cohen, raporton Koha.net.

Ai tha se është koha që të dyja palët të jenë më fleksibile për të arritur një kompromis të cilin do ta pranonin të dyja palët.

“SHBA-ja është e përkushtuar që të mbështes bisedimet në çfarëdo mënyre të mundshme, dhe ne do ta marrim parasysh seriozisht çdo zgjidhje që është e qëndrueshme, e zbatueshme dhe e pranueshme në të dyja vendet dhe që rrit stabilitetin”, potencoi Cohen.

“Njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është e ardhmja. Të gjitha palët do të përfitojnë nga njohja dhe përqafimi i atij realiteti”, u shpreh më tutje Ambasadori i SHBA-së në OKB, Jonathan Cohen.

Në fjalën e tij para të pranishmëve në KS të OKB-së, Cohen përsëriti kërkesën e SHBA-së për t’i dhënë fund misionit të UNMIK-ut në Kosovë.

Tutje, Ambasadori Cohen foli edhe për transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës, duke thënë se SHBA-ja “mbështet tranzicionin gradual dhe transparent të FSK-së në një ushtri multietnike e ndërveprueshme nga NATO-ja me mandat të kufizuar për mbrojtje të territorit”.

“Legjislacioni para Kuvendit të Kosovës është plotësisht në harmoni me Rezolutën 1244. Është e drejtë sovrane e Kosovës që të krijojë dhe mbajë një forcë të armatosur. Kjo forcë, siç është planifikuar, do të kontribuojë në sigurinë rajonale dhe globale. Ne i inkurajojmë të gjitha palët që të shmangin dezinformatat dhe retorikën provokuese në lidhje me këtë tranzicion legjitim, gradual dhe shumë-vjeçar”, deklaroi Ambasadori i SHBA-së.

Në fjalën e tij, duke iu drejtuar ambasadorëve të pranishëm në KS të OKB-së, Cohen tha se SHBA-ja vazhdon t’i inkurajojë vendet, “që ende s’e kanë bërë, t’u bashkohen mbi 110 Shteteve Anëtare të OKB-së të njohin realitetin e pavarësisë së Kosovës”.

“Ne mbështesim fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat relevante ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara. Ne në veçanti nxisim të gjithë anëtarët e INTERPOL-it që të mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it më 20 nëntor. Kosova i plotëson të gjitha kriteret për anëtarësim në INTERPOL. Anëtarësia në OKB nuk është kërkesë për anëtarësim në INTERPOL”, u shpreh Cohen, duke shtuar se anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL ka të bëjë krejtësisht me rritjen e aftësisë kolektive të bashkësisë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit për të luftuar terrorizmin, ekstremizmin e dhunshëm, trafikimin, krimin kibernetik dhe aktivitete të tjera kriminale ndërkombëtare në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë, raporton Koha.net.

“Kjo nuk është as pengesë për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, as nuk është në interesin e bashkësisë ndërkombëtare ta shtyjë atë derisa Serbia dhe Kosova të arrijnë një marrëveshje. UNMIK-u ka kohë që u ka dhënë fund funksioneve policore në Kosovës, dhe, duke e pasur Policinë e Kosovës – të njohur si nga Beogradi dhe Prishtina si autoriteti i vetëm i zbatimit të ligjit në Kosovë – anëtarësimi në INTERPOL pa dyshim se do të forconte sigurinë ndërkombëtare. Ne u bëjmë thirrje të gjithëve që të mbështesin Kosovën më 20 nëntor”, potencoi Ambasadori i SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Jonathan Cohen.

Në fund, ai përsëriti thirrjen e SHBA-së ndaj të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë, që të përqafojnë plotësisht normalizimin dhe të mbështesin njëri-tjetrin në të gjitha aspektet e marrëdhënieve të zgjedhuara që vijnë me të.

18:34

Çitaku në KS të OKB-së: Për Ushtrinë e Kosovës s’ka pse të dialogohet me Serbinë

Image

Ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku, ka thënë se vendi ynë ka bërë progres të madh që nga shpallja e pavarësisë dhe se tash UNMIK nuk e ka më rolin paqeruajtës, andaj do të ishte më e dobishme që resurset e kësaj organizate të shfrytëzohen për zgjidhjen e krizave tjera nëpër botë.

Ajo gjatë fjalës së saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për Kosovën kërkoi nga vendet anëtare të këtij institucionit t’i referohen vendimit të GJND-së se Kosova nuk ka shkelur asnjë ligj kur ka shpallur pavarësinë dhe se ky realitet është i pakthyeshëm.

“Këto sesione këtu nuk i ndihmojnë paqes dhe dialogut dhe fatkeqësisht ky vend këtu është duke u keqpërdorur dhe është shndërruar në teatër”, u shpreh ajo, raporton KsP.

Diplomatja kosovare ka folur edhe rreth anëtarësimit të Kosovës në Interpol, duke thënë se nuk mund të pritet nga vendi ynë të luftojë krimet pa qenë pjesë e këtij institucioni të rëndësishëm.

“Kosova nuk duhet të jetë një vrimë e zezë mes kontinentit evropian. Kemi dëshirë të ndihmojmë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin dhe Evropën për të qenë më të sigurt. Sa i përket policisë, OKB duhet të mburret se vetë kanë ndihmuar të themelojnë Policinë e Kosovës dhe Kosova ka ndihmuar në parandalimin e komploteve terroriste”, u shpreh ajo.

Sipas saj, për themelimin e Ushtrisë nuk do të dialogohet me Serbinë dhe kjo çështje do të përfundojë së shpejti. Ndërsa shtoi se themelimi i Ushtrisë nuk paraqet shkelje të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së.

Duke folur për dialogun, ambasadorja Çitaku tha se Kosova vazhdon përmbushjen e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, por Serbia nga ana e saj ka dështuar në përmbushjen e marrëveshjes së energjisë, e cila i kushton Kosovës me miliona në vit, madje Beogradi zyrtar ka shkelur CEFTA-n, andaj tatimi i vendosur prej 10 për qind ndaj mallrave serbe si i tillë ka qenë i pashmangshëm.

“Dialogu paraqet të vetmin shteg përpara për të dyja vendet, por është e rëndësishme që të pajtohemi se çfarë është ky dialog. Dialogu është për paqe, pajtim dhe njohje reciproke, dhe si i tillë do të ketë kuptim dhe do të prodhojë rezultate vetëm nëse ne vendosim të flasim sinqerisht në lidhje me proceset në Bruksel. Fqinjët tanë duhet të na trajtojnë si qenie të barabarta dhe duke njohur të gjitha të drejtat tona”, tha ambasadorja Çitaku.

Ajo ka përmendur se Fatmir Limaj është liruar dy herë nga Gjykata e Hagës, duke dëshmuar kështu pafajësinë e luftës çlirimtare të Kosovës.

18:29

Daçiqi në KS të OKB-së: Serbia kërkon kompromis të pranueshëm nga të dyja palët

Image

Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka deklaruar se Serbia është e interesuar për të gjetur një kompromis të pranueshëm në bisedimet Prishtinë-Beograd në lidhje me statusin e Kosovës, e cila do të ishte i nevojshme për një paqe afatgjate.

Ai në fjalën e tij para anëtarëve të KS të OKB-së, tha se asgjë nuk ishte bërë pozitivisht që nga sesioni i fundit i KS të OKB-së, pasi asociacioni serbe vazhdon të mos jetë i formuar dhe po ashtu nuk janë krijuar kushtet për kthimin e të zhvendosurve.

Daçiqi përmendi se gjatë periudhës së fundit tremujore në Kosovë, Gjykata speciale ende nuk ka filluar punën e saj dhe se kryesit e vrasjes së liderit serb Oliver Ivanoviq ende nuk janë gjetur, ndërkohë që sipas tij ka pasur incidente të reja.

Ai ka folur edhe rreth vendimit të Kosovës për vendosjen e taksës prej dhjetë për qind ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnjës.

“Në mënyrë të dëshpëruar Prishtina ka vendosur taksën për mallra serbe, duke mos dashur të respektojë marrëveshjen CEFTA. Edhe vetë Hashim Thaçi nuk pajtohet me këtë veprim të autoriteteve të Prishtinës”, u shpreh ai, raporton KsP.

Sipas tij, numri i vendeve që kanë tërhequr njohjen Kosovën mund të rritet në të ardhmen, derisa shtoi se Prishtina nuk dëshiron të hyjë në Interpol për ta luftuar krimin por për ta paraqitur veten si shtet të pavarur.

Shefi i diplomacisë serbe theksoi se KFOR-i është i vetmi mandat ligjor ushtarak ligjor në Kosovë, derisa vizitën e presidentit Hashim Thaçi në Liqenin e Ujmanit e quajti shkelje të marrëveshjes së Brukselit.

17:58

Tanin në KS të OKB-së: Çështje e Ushtrisë duhet të trajtohet me kujdesin më të madh të mundshëm

Image

Shefi i Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, theksoi sot nevojën për të siguruar që njerëzit në mbarë shoqërinë kosovare të jenë plotësisht të angazhuar në ndërtimin e paqes afatgjate dhe të qëndrueshme.

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm në Kosovë, Zahir Tanin, gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork, foli mbi zhvillimet e fundit politike, përfshirë këtu edhe mundësitë e reja për debat të nisura nga shqyrtimi i kornizës së re për shkëmbim të territoreve të propozuar nga Kosova e Serbia.

Duke folur për kornizën e re që u propozua në Forumin Evropian Alpbach në Austri në muajin gusht pas negociatave paraprake, Tanin tha se ky dimension i ri ka krijuar shqetësim por edhe shtysë të re.

“Pavarësisht sfidave themelore dhe drojës, diskutimi ka hapur mundësinë për debat dhe shqyrtim”, ka thënë ai.

Megjithatë, Tanin insistoi që parimet themelore të dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian – përfshirë themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe – janë kyçe për arritjen e progresit në terren.

Derisa premtimi për integrim të mëtejmë në familjen evropiane mbetet shtysë e fuqishme për liderët që të arrijnë marrëveshje, siç ishte rekomandimi i Komisionit Evropian për lejimin e udhëtimit pa viza për banorët e Kosovës, Tanin tha se veprimet kundërshtuese megjithatë kanë potencial për ta penguar procesin.

“Veprimet e njëanshme, qoftë për çështje të mëdha apo të vogla, e bartin mundësinë konstante të ndezjes së situatës në terren”, deklaroi shefi i UNMIK-ut.

Rreth miratimit të ligjeve në Kuvendin e Kosovës për rritjen e fuqisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, Tanin tha: “Kjo çështje duhet të trajtohet me kujdesin më të madh të mundur për t’u siguruar që hapat e ndërmarrë të jenë rezultat i një procesi plotësisht përfshirës dhe tërësisht përfaqësues politik, në përputhje me kornizat relevante ligjore”.

Tanin ritheksoi përkushtimin e UNMIK-ut për prioritetizimin e ndërtimit të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm të besimit në Kosovë, duke këshilluar punën e vazhdueshme të misionit për zbatimin e rekomandimeve kyçe që dolën nga Forumi i OKB-së për Ndërtimin e Mirëbesimit në muajin maj.

Tanin i tha Këshillit se paqja e qëndrueshme dhe afatgjate mund të ndërtohet vetëm me përfshirjen e të gjitha shoqërive dhe përfaqësuesve.

“Përkushtimet nga nivelet më të larta që mund të arrihen përmes negociatave politike, pavarësisht intensitetit të përkrahjes ndërkombëtare dhe regjionale, kanë pak gjasa të kenë rezultat nëse nuk mbështeten nga mirëkuptimi dhe mirëbesimi i plotë i komuniteteve dhe individëve të mbarë shoqërisë”, deklaroi Tanin në KS të OKB-së.