Arbëri

Haxhiu: Përfundimi i punimeve në Meje duhet të ndodh ashtu si e kërkojnë familjarët

Përfaqësuesit e Shoqatës së familjeve të personave të pagjetur kanë shpalosur pakënaqësitë e tyre rreth punimeve në Kompleksin memorial në Meje të Gjakovës para Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në Kuvendin e Kosovës.

Ata kanë kërkuar që t’iu kthehen fotografitë e personave të pagjetur të cilat po mbahen nga nënkontraktorët e kompanisë që ka marrë përsipër të kryejë punimet në këtë Kompleks.

Sipas tyre, problemet midis kontraktorëve kanë bërë që fotografitë e të zhdukurve të mbahen peng shkaku i borxheve që kompanitë ia kanë njëra-tjetrës.

E deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Teuta Haxhiu, pjesë e këtij Komisioni, në Express Intervistën në KTV, ka thënë se masakra e Mejes është më e madhja e luftës së fundit në Kosovë, ku mbetën 376 të vrarë për shumë pak orë dhe disa të pagjetur.

“Dhimbja është për të gjithë. Unë që jetoj personalisht atje, në fshatin ku jetoj, janë 37 të pagjetur. Duhet ta finalizojmë Kompleksin memorial të Mejes. Familjarët kërcënuan që të merren personalisht me inxhinierin që e ka bërë projektin, por unë konsideroj se kjo çështje do të zgjidhet shumë shpejt institucionalisht. Institucionet duhet të veprojnë dhe nuk na interesojnë problemet që kanë me kompanitë. Përfundimi i punimeve në Meje duhet të ndodh ashtu si e kërkojnë familjarët. Unë insistoj që të mos mbetet për shkak të buxhetit. Qeveria Haradinaj është e përkushtuar që buxheti të mos jetë pengesë për përfundimin e memorialit të Mejes”, ka thënë Haxhiu, raporton Koha.net.

Deputetja Haxhiu tha se Ligji i Prokurimit bën që të ketë vonesa e telashe të këtilla në ndërtime. “Çmimi më i lirë nuk do të thotë se ka cilësi të punimeve. Dhe punimet që janë bërë deri tani në Meje tregojnë se ligji nuk është i mirë”, tha ajo.

Tutje, anëtarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në Kuvendin e Kosovës, tha se deri më tani është dashur të zgjidhet çështja e komplekseve memoriale dhe tani do duhej të merreshim me mirëqenien e familjarëve të atyre viktimave.

“Komplekset memoriale, te Adem Jashari por edhe tek komplekset tjera, nuk do të duhej të ishin në këtë gjendje, dhe kjo do duhej të përfundonte kohë më parë, e tani të ishim duke u marrë me nevojat e familjeve të të prekurve. Jemi vonuar në këtë proces. Për Kompleksin Memorial Adem Jashari, shpresoj që Qeveria Haradinaj nuk do ta ketë dorën e shtrënguar për sa i përket buxhetit dhe kompanitë e angazhuara për ndërtimin e tyre ta marrin punën me seriozitet dhe të jenë të ndërgjegjshëm”, u shpreh deputetja e AAK-së.

Ajo tha se Ligji për të Pagjeturit ka ngjallur pakënaqësi tek familjarët e viktimave të luftës. “Viktimë civile nuk është i vrari në luftë, por jam unë nëse më godet një veturë. Duhet të bëhet trajtimi i këtij ligji dhe plotësim-ndryshimi i tij”, tha Haxhiu.

Haxhiu foli edhe për Dialogun me Serbinë dhe tha se kryeministri Haradinaj nuk po i ikën përgjegjësisë me delegimin e Dialogut tek Presidenti Thaçi, por tha se është e kundërta.

“Kryeministri Haradinaj nuk po heziton të marrë përgjegjësi për dialogun, dhe kërkesa e kësaj qeverie është të jetë një ekip qeveritar që të marrë përgjegjësi. Përkundrazi, nuk është ikje nga përgjegjësia, por përfshirje në të gjitha temat. Tani insistimi është që paraprakisht të diskutohen temat, të trajtohen me seriozitet, se çka do të diskutohet në Dialog, e pastaj të vijë për votim në Kuvend”, tha Haxhiu në Express Intervistën në KTV.

Ajo tha se me rezoluta nuk zgjidhen çështjet pasi, sipas saj, tash e rreth 20 vjet kemi shumë rezoluta për të pagjeturit dhe asnjë nuk është zbatuar.

“Kemi rezolutën nga grupi ynë parlamentar që e kushtëzon qeverinë e Kosovës që të kushtëzojë bisedimet deri në zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Kjo asnjëherë nuk është marrë me seriozitet. Qeveria Mustafa asnjëherë nuk e ka trajtuar këtë temë në Dialogun e Brukselit. Uroj që së pari të përfundojnë temat politike, sepse kjo është temë e Republikës së Kosovës, jo e partive politike, dhe duhet ta marrim me seriozitet këtë fazën e fundit të dialogut, prandaj një ekip i tërë e mban më të përgjegjshëm cilindo që e udhëheq Dialogun. Nuk është një mendim më i fuqishëm se disa mendime”, deklaroi deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu.