Arbëri

“Qeveria të mos procedojë ligje për hir të BE-së, por për qytetarët”

Foto: Koha / ilustrim

Instituti GAP, Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) kanë reaguar ndaj qeverisë për kërkesën urgjente që të procedohet pakoja e ligjeve që janë pjesë e agjendës evropiane dhe Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së.

Sipas këtyre organizatave, përmbushja e objektivave të Agjendës për Reforma Evropiane dhe mobilizimi institucional nuk duhet të prioritizohen vetëm për të qëndruar mirë para Bashkimit Evropian dhe për të siguruar se “po kryejmë detyrat e shtëpisë”, por duhet dhënë përparësi për shkak të përfitimeve që këto objektiva sjellin për mirëqenien e kosovarëve dhe zhvillimin e vendit.

“Më 12 nëntor 2018, Kryeministri Haradinaj në takim me Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ka kërkuar me urgjencë procedimin e ligjeve që janë pjesë e ERA-së dhe Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, të cilat do ta ndihmonin Kosovën në liberalizimin e vizave. Ato shtatë objektiva për të cilat kërkohet urgjencë janë procedimi i Kodit penal, Projektligji për konfiskimin e pasurisë të fituar me vepër penale, Projektligji për mbrojtjen e sinjalizuesve, Projektligji për përgjegjësinë disiplinore, Projektligji për Gjykatat, ai për Këshillin Gjyqësor dhe Projektligji për Këshillin Prokurorial. Përmbushja e objektivave të Agjendës për Reforma Evropiane (ERA) dhe mobilizimi institucional nuk do të duhej të prioritizohen vetëm për të qëndruar mirë para Bashkimit Evropian dhe për t’i siguruar se po i “kryejmë detyrat e shtëpisë”, por u duhet dhënë përparësi për shkak të përfitimeve që ato objektiva sjellin për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës dhe për zhvillimin e vendit në përgjithësi. Theksojmë që liberalizimi i vizave nuk do duhej të ishte qëllimi kryesor për të punuar në arritjen e objektivave të agjendës evropiane, por përftimi i qytetarëve nga këto objektiva në aspektin e sundim të ligjit, qeverisjes së mirë, rritjes së investimeve, konkurrueshmërisë së prodhuesve kosovarë, mirëqenies socio-ekonomike, dhe ngritjes së cilësisë së arsimit”, thuhet në një reagim të këtyre tri organizatave.

GAP, PIPS dhe GLPS kanë thënë se qeveria dhe kuvendi tashmë janë më shumë se një vit me vonesë në shumicën e objektivave të Agjendës për Reforma Evropiane. Sipas gjetjeve, një përqindje e konsiderueshme e objektivave ka mbetur shumë prapa në përmbushje.

“Për secilën objektivë janë paraparë një numër veprimesh të veçanta, e që në total për tri shtyllat kanë qenë 108 veprime që dalin nga ERA 2017 si dhe vendimi i qeverisë nr. 01/13 për prioritetet kyçe të Agjendës për Reforma Evropiane 2018. Në bazë të gjetjeve tona del se në shtyllën e parë, qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, janë plotësuar gjithsej 62% e veprimeve, 24% janë plotësuar pjesërisht dhe kanë mbetur të paplotësuara rreth 14% të tyre. Në shtyllën e dytë, konkurrueshmëria dhe klima e investimeve, rreth 46% e veprimeve janë plotësuar në tërësi, 9% janë realizuar pjesërisht, dhe 34% e veprimeve mbesin të paplotësuara dhe 11% janë në realizim e sipër. Dhe në shtyllën e tretë, punësimi dhe arsimi, janë plotësuar rreth 45% e veprimeve, 33% e veprimeve janë plotësuar pjesërisht dhe të pa plotësuara mbesin 22% e tyre”, thuhet më tej në reagim, raporton Koha.net.

Sipas tri organizatave, rezultatet e dobëta vijnë si pasojë e qasjes thellësisht neglizhuese të Kosovës në raport me kriteret e BE-së.

“Instituti GAP, PIPS dhe GLPS edhe përmes këtij reagimi i bëjnë thirrje Qeverisë dhe Parlamentit të trajtojnë obligimet dhe masat e dala nga MSA dhe ERA në mënyrë serioze dhe sistematike. Në vend se të shihen si dokumente për të kënaqur BE-në, këto masa duhet të shihen si përmirësim substancial i bazës ligjore dhe institucionale, rrjedhimisht përmirësim i jetës së qytetarëve të Kosovës”, përfundon reagimi i GAP-it, PIPS-it dhe GLPS-së.