Arbëri

Lluka: Taksa ndaj mallrave serbe, presion për të zbatuar marrëveshjen për energji

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se taksa prej dhjetë për qind për mallrat që vijnë nga Serbia, është presion mbi Serbinë për të nisur zbatimin e marrëveshjes për energji dhe t’ia mundësojë Kosovës anëtarësimin në Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike.

Pavarësisht se një marrëveshje mes KOSTT-it dhe ENTSO-E ishte nënshkruar më 2015, Kosova nuk po arrin të funksionojë si zonë e pavarur për shkak se Serbia po përfiton miliona euro nga alokimi i kapaciteteve të linjave kufitare të Kosovës me shtetet fqinje.

Në Express Intervistën në KTV, duke sqaruar refuzimin e fundit nga ENTSO-E për pranim të KOSTT-it, Lluka ka thënë se propozimi për zgjidhje të përkohshme nuk ishte i përkrahur nga Kosova në pikën ku mundësohej që prodhimi i energjisë elektrike nga Ujmani të kontrollohej nga ana e Serbisë. Kjo pikë, sipas Llukës, nuk do të pranohet nga pala kosovare, as nëse hyn në diskutim në takimin e radhës me palën serbe, më 20 nëntor në Bruksel.

Ai ka thënë se Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë, KOSTT, ka refuzuar këtë propozim, por ajo doli në votim, e që sipas Llukës, për fat të mirë të Kosovës nuk u miratua.

Lluka ka thënë se Serbia dhe operatori i vet, EMS, po vazhdojnë luftën ndaj Kosovës. Ka thënë se si pasojë e mosimplementimit të Kyçjes KOSTT-ENTSO-E, Kosova po pëson dëme financiare direkte me miliona euro.

“Kemi dëme financiare direkte rreth 25 milionë euro vjetore. 10 milionë nga mosinkasimi për shkak të energjisë në transit, 10-12 milionë që s’i paguajnë banorët e veriut, 3 milionë euro inkasomi i mundshëm nëse funksionohet lidhja me Shqipërinë. Ka dëme indirekte. S’po mund ta integrojmë tregun energjetik. Shkëmbim i lehtë e përfitime për shumë operatorë të përbashkët në treg energjetik. Ka edhe shumë dëme tjera që ndoshta e mbikalojnë 25 milionë euroshin. Serbia apo qytetarët serbë në veri i përfitojnë 25 milionë euro në vit”, ka thënë ai.

Sipas Llukës, duhet patjetër të bëhet një zgjidhje permanente. Ai ka thënë se nuk do të lejojnë që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të jetë pronar i një kompanie që mund të marrë përsipër veriun e Kosovës. Ka thënë se kjo është jashtë çdo marrëveshjeje.

Lidhur me këtë problem, Lluka ka thënë se Kosova ka në dispozicion pak forma presioni ndaj Serbisë, ndërsa ka përmendur taksën prej dhjetë për qind si ndër më të duhurat.

“Transmisionet mund t’i ndalim tërësisht, por nuk fitojmë. Forma e presionit është bllokimi i importeve. Serbia ka treg të rëndësishëm në Kosovë. Një ndër arsyet është kjo pikërisht. Duhet të shohim të gjitha mekanizmat që të rrisim presionin. Aty është tregtia. Taksa do ta mbulonte këtë shpenzim të energjisë”, ka thënë ai.

Lluka ka thënë se tash KOSTT-i për anëtarësim në ENTSO-E i ka edhe dy mundësi. Një nga to është në Asamblenë e Përgjithshme, ku janë 42 transmisione që votojnë, ndërsa në të tretën ka thënë se bëhet me votim direkt në një mekanizëm të fundit ku zhvlerësohen të gjitha marrëveshjet paraprake.