Arbëri

Policia kritikohet se po ndjek përdorues të vegjël e jo trafikantë droge

Rreth 1 mijë e 279 përdorues të drogës janë regjistruar në Kosovë në periudhën janar-tetor 2018, thotë një raport i Policisë.

Prej tyre 1 mijë e 212 janë të gjinisë mashkullore, ndërsa 67 të gjinisë femërore, raporton KTV.

Deri në tetor të këtij viti janë arrestuar 1,782 persona për posedim të lëndëve narkotike, në mesin e tyre ka pasur edhe nxënës.

Në 524 raste janë iniciuar procedura gjyqësore, shumë prej të cilave janë raste kur të rinjtë janë kapur në afërsi apo në oborr të shkollave.

Policia e Kosovës është përqendruar ta ndalë përdorimin e drogës në shkolla.

Policia ka bërë të ditur se gjatë këtij plani operativ ka konfiskuar 309 gr heroinë, 922 kg marihuanë, 11 gr hashash, 1 kg e 470 gr kokainë, 255 bimë kanabisi dhe 427 gr ekstazi.

Por, përqendrimin e Policisë së Kosovës vetëm te shkollat, po e kritikojnë monitoruesit e punës së policisë.

Kreshnik Gashi nga BIRN-i thotë se fokusi i aparatit shtetëror është kthyer te narkomanët, të cilët merren me sasi të vogla droge, derisa po lihen të qetë ata që e menaxhojnë gjithë tregun e drogës.

Ai, më tutje, tregon edhe disa raste ku prokurorët dhe disa zyrtarë policorë janë përfshirë në tregun e drogës.

Në vitin 2017 kanë qenë rreth 1 mijë e 300 raste ku janë arrestuar 1,426 persona. Po ashtu, gjatë vitit të kaluar sasia e konfiskuar ka qenë relativisht e vogël dhe e matur me njësi grami.