Nebi Cakaj, është njëri nga shumë kandidatët që kishin konkurruar për vend pune në institucione publike. Ai thotë se iu bë e padrejtë aty ku konkurroi.
Ai nuk u pranua të punojë në KEDS, nën arsyetimin se ky institucion nuk posedon persona të kualifikuar për t’u ndihmuar personave me aftësi të kufizuara, që ta kryejnë punën, raporton KTV.
Cakaj pretendon se në konkurs, pos që u bënë shkelje ligjore, nuk u mor parasysh as Ligji për Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara, i cili përcakton që çdo institucion ta ketë të punësuar të paktën një person të tillë.
Ai thotë se është i aftë për punë, ndërsa ndihet i diskriminuar më shumë tash se sa në kohën e paraluftës.
Në zyrën e Avokatit të Popullit, janë deponuar disa ankesa të personave me aftësi të kufizuara, që thonë se janë diskriminuar në konkurset e punësimit.
Avokati i Popullit kërkon nga institucionet që ta respektojnë ligjin në fuqi dhe të ofrojnë kushte të favorshme për këtë kategori.
Edona Hajrullahu, Zëvendëse e Avokatit të Popullit, thekson se nëse ky ligj nuk zbatohet, ndaj institucioneve që kanë shkelur ligjin duhet të ndërmerren masa ndëshkuese.
Sipas Ligjit për punësimin e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë, secili institucion publik obligohet që të punësojë një person me aftësi të kufizuara, në 50 persona të punësuar.