Arbëri

Haradinaj thotë se s’ka asgjë të re sa i përket draftit të Asociacionit

Kanë kaluar tre muaj që kur Ekipi Menaxhues, i përbërë nga katër zyrtarë serbë, ka njoftuar se ka përfunduar punën në hartimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, por ende drafti nuk është bërë publik, të paktën jo për mediet.

Data katër gusht e këtij viti, ka qenë afati i fundit, i vendosur nga Bashkimi Evropian (BE), kur ekipi menaxhues është dashur ta dërgojë në Bruksel draftin e parë të statutit, raporton KTV.

Maja Kocijançiç, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, në një përgjigje për Kohavisionin nuk ka pohuar e as mohuar nëse ky draft është dorëzuar në Bruksel.

Vetëm ka thënë se puna e ekipit menaxhues në hartimin e statutit të Asociacionit vazhdon e cila, sipas saj, bazohet në marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe marrëveshjeve të gushtit 2015.

Ndërsa nuk e përmend vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila në dhjetor të vitit 2015, kishte konstatuar se 23 pika të Marrëveshjes së Brukselit për Asociacionin janë në kundërshtim me Kushtetutën.

Ekipi Menaxhues i ka dërguar Qeverisë së Kosovës vetëm procesverbalet e punës së tyre, por jo edhe draft-statutin. Ndërsa, kryeministri Haradinaj ka thënë se nuk ka diçka të re sa i përket kësaj çështjeje.

Haradinaj, më herët pati paralajmëruar se statuti i Asociacionit do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar nëse ai është në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Kohavisioni i ka dërguar pyetje edhe MAPL-së, e cila është përgjegjëse për këtë proces, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

Ish-zëvendësministri i kësaj ministrie nga LDK-ja, Bajram Gecaj, beson se zvarritja e formimit të Asociacionit po bëhet me qëllim që kjo çështje të diskutohet në Bruksel ndërmjet presidentëve.

Sipas tij, ekzekutivi duhet të ketë nën kontroll të plotë hartimin e statutit, pasi njerëzit për të kryer këtë punë, i ka emëruar vetë.