Vendimi për t’ua dhënë komunave serbe pronat e AKP-së po cilësohet në dëm të Republikës

Vendimi për t’ua dhënë komunave serbe pronat e AKP-së po cilësohet në dëm të Republikës

09 nëntor 2018 18:15

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka reaguar kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës, të datës 06.11.2018, për tërheqjen nga procesi i privatizimit dhe bartjen e një numri pronash të cilat menaxhoheshin nga AKP-ja, për t’i kaluar në pronësi të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Kllokotit dhe Ranillugut.

Përmes një reagimi për media, Grupi për Studime Juridike dhe Politike vlerëson që Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të luajë rol proaktiv dhe të nxitë bashkëpunimin e Komunave me shumicë serbe me institucionet e Kosovës.

“Mirëpo vendimet e fundit janë veprime të cilat i shërbejnë vetëm rritjes së autonomisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe zgjerojnë hapësirën e ndikimit të Listës Serbe”, thuhet në reagimin e GLPS-së.

GLPS vlerëson se vendimet e Qeverisë së Kosovës jo vetëm që janë të ngutshme, por janë kundër interesave të Republikës së Kosovës dhe mundësisë që rendi dhe ligji të zbatohen të pakushtëzuar nga kërkesat individuale të liderëve komunalë në komunat me shumicë serbe.


Lexo edhe: Qeveria po e përmbush Statutin e Asociacionit, pronat shoqërore të AKP-së i kalojnë Mitrovicës Veriore


 “GLPS nuk mohon nevojën që çdo Komunë ka për më shumë prona, pasuri dhe qasje në të mira publike. Gjithsesi falja e pronave të Republikës së Kosovës Komunave të cilat kundërshtojnë çdo mundësi të veprimit të institucioneve të Republikës së Kosovës në ato pjesë, dhe pa një vlerësim paraprak të nevojave, arsyeve, dhe mënyrën e përdorimit të tyre, shpërfaq mungesën e maturisë institucionale. Për më tepër, Qeveria e Kosovës me këtë vendim heq dorë nga kompetencat e saj për të menaxhuar me pronat e Republikës së Kosovës, duke deleguar këtë kompetencë nga institucionet qendrore në komunat me shumicë serbe”, thuhet në reagim, përcjell Koha.net.

Sipas GLPS-së, në këtë mënyrë, ekziston shqetësimi se këto vendime zgjerojnë autonominë e këtyre komunave dhe mund të kontribuojë në monoetnizimin e pronës shoqërore mbi baza territoriale dhe është kundër konceptit multietnik.

“Veçanërisht, mund të dëmtojë procesin integrues të veriut në vend”, thuhet në reagim.

Bazuar në legjislacionin e Kosovës, Qeveria ka të drejtë t’u mundësojë komunave në fjalë që të përdorin pronat dhe asetet dhe në të njëjtën kohë të ruajë plotësisht pronësinë mbi to, thotë GLPS. Si shembull, kësaj organizate, Qeveria e Kosovës do kishte mundësi që ato prona t’i regjistrojë si prona të saja dhe të ndalë privatizimin e tyre, dhe po të njëjtat, me një marrëveshje, t’u jepte në menaxhim të përkohshëm komunave në fjalë, pa bartur pronësinë mbi ato.

“Megjithatë, me këto vendime Qeveria heq dorë nga kjo e drejtë dhe u jep pronësi të përhershme organeve të pushtetit lokal. Qasja e Qeverisë së Kosovës vë në rrezik fatin e aseteve tjera të Kosovës që gjenden në territorin e komunave me shumicë serbe, dhe parandalon që ato prona të menaxhohen nga Qeveria e Kosovës sipas interesit të Kosovës. Vendimet e Qeverisë, rrjedhimisht, janë konfirmim që kjo e fundit ka filluar të heqë dorë nga kompetencat e saj në komunat me shumicë Serbe”, thotë më tej GLPS-ja.

Për të, autonomia për Komunat me shumicë serbe nuk ka dimension tjetër dhe nuk mund të shfaqet ndryshe veçse në këtë formë ku Qeveria dhe institucionet qendrore heqin dorë nga kompetenca për të qeverisur me pronat e saj, në territorin e Kosovës.

Për fund, GLPS i bën thirrje kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të koalicionit qeverisës që të kenë parasysh se vendime të këtilla duhet të kenë pikësynim një qeverisje sa më të mirë lokale, mirëpo asnjëherë duke fuqizuar drejtpërdrejt ose tërthorazi një grup të veçantë politik, që në këtë rast është Lista Serbe.

“Kosova ka ofruar të gjitha garancionet e mundshme që qytetarët serbë në Kosovë të jetojnë në paqe, dhe u ka njohur garancione të mëdha kushtetuese dhe ligjore të pashembullta në rajon. Mjafton që Republika e Kosovës të zbatojë ato në mënyrë integruese dhe të barabartë për të gjitha komunitetet jo shumicë dhe të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve të saja”, thuhet në fund të reagimit të këtij grupi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme