Elhami Hajdari, kryeshef i Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (ABZH), ka thënë se ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo po e mban të suspenduar për të bërë biznes me grante e subvencione.
Për Koha Ditore ai ka deklaruar asnjërin nga vendimet – për kthimin në punë dhe risuspendimin, nuk e ka pranuar zyrtarisht.
“Në media i kam parë edhe unë ato vendime. Zyrtarisht asnjërin prej tyre nuk e kam pranuar. Por, është për keqardhje deri ku kanë shkuar me inate personale dhe deri në çfarë niveli e kanë degraduar atë institucion. Unë asnjëherë askënd nuk e kam lejuar që institucionet, pjesë e të cilave kam qenë edhe vetë, t’i trajtojnë si plaçkë dhe nuk do t’i lejojë as këta”, ka thënë Hajdari.
Rikallo kishte suspenduar Hajdarin gjashtë muaj më parë kur, ky i fundit, kishte refuzuar t’ia përcillte jashtëligjshëm mbi 80 mijë euro një biznesi me bazë në Prizren, me të cilin kishte raport afarist Biljana Rikalo, bashkëshortja ministrit serb.
Lexo edhe: Sprapset Rikallo, rikthen në punë drejtorin që nuk i dha grant gruas së tij
Hajdari ka thënë se të gjitha vendimet ndaj tij janë tendencioze, e këtë më së miri sipas tij e tregojnë dy vendimet kontradiktore brenda 24 orëve.
“Kështu, me vendime të kundërligjshme të njëpasnjëshme, ministri Rikallo dhe ata me të cilët po bënë biznes përbrenda Ministrisë së Bujqësisë, për të cilët gjithmonë kam qenë pengesë, mund të më mbajnë përkohësisht jashtë zyrës sime, por e vërteta do të dëshmohet. Me vetë faktin që i nxjerrin dy vendime kontradiktore brenda 24 orësh dëshmon tendenciozitetin e tyre dhe përpjekjen për të më mbajtur me çdo kusht larg, për të bërë çfarë të duan me grantet dhe subvencionet që u dedikohen bujqve dhe jo grave, familjeve dhe klaneve të tyre. Unë do ta ushtrojë sërish të drejtën time ligjore dhe kësaj pune do t’i shkojë deri në fund”, ka thënë Hajdari.
Ai më tutje ka shtuar se, “nuk më intereson nëse ministrit Rikallo i pengon që kam qenë një prej ushtarëve më të hershëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës apo që nuk kam pranuar të bëhem vegël e tij për ta përkrahur me rreth 80 mijë euro kundërligjshëm bashkëshorten e tij, Biljana Rikallo, si pjesë e marrëveshjes me Extra Frut Filings, sepse ishte tejkaluar çdo afat ligjor prej tyre, por për shpifjet dhe fushatën e ultë që kanë ndërmarrë kundër meje, me ta do të ballafaqohem në gjykatë”./Besnik Krasniqi/